Është gjetur edhe viktima e dytë e shpërthimit të fuqishëm që tronditi mesditën e djeshme një pallat pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan. Bëhet fjalë për 69-vjeçarin Hamit Ibro, pronarin e apartamentit ku dyshohet se ndodhi shpërthimi.
Trupi i pajetë i 69-vjeçarit është nxjerrë nga rrënojat e ndërtesës, e cila u përfshi nga flakët pas shpërthimit të fuqishëm që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe shembjen e një pjese të shkallëve të pallatit.
Viktima e parë e kësaj tragjedie ishte 83-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila banonte një kat mbi apartamentin ku dyshohet se nisi shpërthimi. E moshuara u nxor e pajetë nga ballkoni me ndihmën e shkallëve të zjarrfikësve.
Nga shpërthimi dhe zjarri kanë mbetur të plagosur edhe 10 persona të tjerë, mes tyre fëmijë. Të lënduarit janë transportuar në spitalin e Elbasanit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në pallatin pesëkatësh, i ndërtuar gjatë viteve 1970-1980, jetonin rreth 15 familje. Banorët e evakuuar pritet të sistemohen përkohësisht në një konvikt pranë ndërtesës.
Ndërkohë, shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta. Një nga pistat që po hetohet nga autoritetet është ajo e një rrjedhjeje të mundshme gazi nga një bombol gatimi. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që i mori jetën dy personave dhe la të plagosur 10 të tjerë.












