Nga Çim Peka/
Protesta e flamingove pati gjithçka që një lëvizje kundër pushtetit mund të kërkonte: vëmendje ndërkombëtare, mbështetje mediatike, vrull në rrjetet sociale dhe zemërimin e qytetarëve përtej vijave partiake. Socialistë të zhgënjyer, demokratë, njerëz pa parti. Në një Shqipëri të tkurrur nga emigracioni, ai shesh dëshmoi sa e madhe ishte ende dëshira për ndryshim.
Pastaj mikrofonin e morën njerëz që e ngatërruan turmën përpara tyre me ndjekësit e tyre personalë.
Këtu filloi tkurrja. Protesta kishte bashkuar njerëz kundër Ramës; drejtuesit nisën t’i ndanin sipas shijeve të veta. Kush lejohej të vinte. Kush duhej të heshtte. Kush ishte qytetar i pastër dhe kush bëhej i dyshimtë sapo deklaronte bindjen politike. Nga mikrofoni shpërndaheshin certifikata përkatësie, ndërsa sheshi humbiste njerëz.
Kur mbetën 200–300 pjesëmarrës, dështimi kishte marrë përmasa që nuk i mbulonte dot as zhurma e altoparlantëve.
Mosbindja civile e studentëve hapi një mundësi të re. Për dy të shtuna, mobilizimi dhe pjesëmarrja e mbështetësve të PD-së ndihmuan që protesta të bëhej sërish masive. Dhe menjëherë u rikthye zakoni i vjetër: sulme ndaj faktorëve politikë që e mbështetën, përplasje për protagonizëm, ankth se mos dikush tjetër merrte peshë në shesh.
Demokratët duhen të shtunën, kur duhen mbushur pamjet. Gjatë javës, mikrofonat i shpallin problem. U kërkojnë të sjellin numrat, por bindjet t’i lënë në shtëpi.
Kjo është arroganca e një drejtimi që varet nga njerëzit që përçmon.
Një protestë mund të jetë e pavarur nga partitë dhe njëkohësisht e hapur për qytetarët që i mbështesin ato. Për këtë duhet siguri politike, aftësi organizimi dhe objektiv i përbashkët. Kur këto mungojnë, mbetet kontrolli i mikrofonit. Është pushteti më i vogël i mundshëm, por disa janë gati ta paguajnë me zbrazjen e gjithë sheshit.
Edhe tre kryetarë partish të vogla duhet të përballen me të njëjtën pyetje: çfarë i shtuan protestës? Sa njerëz sollën? Çfarë rruge drejt rezultatit hapën? Titulli i kryetarit nuk është kontribut. Dalja në podium nuk është strategji.
Rama merr frymë sa herë kundërshtarët e tij harxhojnë energjinë duke luftuar njëri-tjetrin. Për të, një protestë që grindet për të drejtën e hyrjes në shesh është një protestë që po ia kryen vetë punën e shpërndarjes.
Bilanci është brutal: një mobilizim i jashtëzakonshëm përfundoi duke pritur të shtunën e ardhshme, që të vinin sërish ata të cilëve gjatë javës u tregohej dera.
Këta hynë në fushë me një stadium pas vetes dhe përfunduan duke luajtur mes shokësh. Tani kërkojnë që askush të mos ua prekë topin. Rama mund të rrijë i qetë: Kundërshtarët po futen ne fushë jo te mundin Ramen, por te zene fushen dhe ta ruajne nga përforcimet.
© SYRI.net