Bota

Bashkëshortja torturon burrin e saj për 20 muaj, regjistron 30 mijë video!

I rrahur, i izoluar, i privuar nga telefoni dhe i detyruar të përjetonte poshtërime dhe djegie me cigare në trup. Viktima është një menaxher 51-vjeçar nga Milano, sipërmarrës në sektorin financiar, i cili ka identifikuar ish-bashkëshorten si përgjegjësen për dhunën e ushtruar ndaj tij.

Gruaja, e cila ishte gjithashtu ortake e tij në biznes, është tashmë në qendër të një hetimi të Prokurorisë së Milanos. Prokuroria ka kërkuar dërgimin e saj në gjyq për keqtrajtim, plagosje të rëndë për shkak të torturave dhe mizorisë, si dhe shfrytëzim të një personi të paaftë për të kuptuar apo për të vepruar.

Ngjarja, sipas La Repubblica, u bë e njohur më 9 tetor 2024, kur burri u vu re teksa largohej me nxitim nga zona e portit të Saint-Tropez. Sipërmarrësi kërkoi strehim në një hotel, por pak më vonë humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital. Gjendja e tij u vlerësua menjëherë si shumë e rëndë. Kur mbërriti në spital, ai peshonte vetëm 53 kilogramë.

Dy ditë më vonë, ai u paraqit në urgjencën e spitalit në Legnano, ku mjekët konstatuan një gjendje të “rraskapitjes fizike”, të shkaktuar nga kushtet e këqija higjienike. Ai kishte dëmtime në fytyrë, buzë të enjtura, gërvishtje dhe shumë djegie të shkaktuara nga cigaret, të pranishme edhe në këmbë dhe në zonat intime. Gjithashtu, i ishin shkulur thonjtë e duarve dhe të këmbëve. Personeli mjekësor, burri u tha: “Ma ka bërë gruaja ime”.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, makthi kishte nisur në shkurt të vitit 2023, kur marrëdhënia mes dy bashkëshortëve kishte hyrë tashmë në një krizë të thellë.

Në fillim, gruaja dyshohet se e akuzonte bashkëshortin se frekuentonte prostituta, se kishte varësi nga pornografia dhe se i kishte transmetuar hepatitin B. Kjo e fundit, sipas të dhënave të hetimit, rezultoi krejtësisht e pavërtetë.

Megjithatë, sipërmarrësi dyshohet se kishte përfunduar duke e ndjerë veten përgjegjës për situatën dhe duke iu nënshtruar gradualisht kërkesave të bashkëshortes.

Në kallëzimin e paraqitur më vonë, menaxheri e kishte përshkruar ndryshimin rrënjësor të jetës së tij me një fjali: “Më ktheu në një fantazmë”.

Sipas akuzës, gruaja dyshohet se kishte marrë gradualisht kontrollin mbi jetën e tij të përditshme, duke e penguar të mbante kontakte me botën e jashtme. Telefoni i tij kontrollohej vazhdimisht, përdorimi i internetit ishte i ndaluar, ndërsa burrit i ishte hequr mundësia të dispononte lirisht dokumentet dhe paratë e tij.

Mes akuzave përfshihen edhe kërcënime që lidheshin me sëmundjen e pretenduar, si dhe frika e viktimës nga hakmarrjet e mundshme ndaj nënës së tij të moshuar.

Aktet e akuzës paraqesin një tablo të keqtrajtimeve të dyshuara, veçanërisht të rënda. Burri dyshohet se është rrahur vazhdimisht, madje edhe me një telefon celular, deri në atë pikë sa i shkaktoheshin gjakderdhje. Në raste të tjera, ndaj tij janë përdorur shqelma dhe zinxhirë qensh.

Mes episodeve të denoncuara përfshihen edhe poshtërime të përditshme. Sipas rindërtimit të ngjarjeve nga Prokuroria, menaxheri detyrohej të qëndronte i palëvizur në divan, si një bimë, të hante në tasin e qenit dhe madje të urinonte në rrugë.

Cigaret dyshohet se i shuheshin drejtpërdrejt në trup, duke i shkaktuar djegiet e shumta që u konstatuan më pas nga mjekët.

Gjithashtu, burri detyrohej të qëndronte i mbyllur në banesën në Milano ose në jahtin që përdorte çifti, pa pasur mundësi të vendoste vetë për lëvizjet e tij.

Një nga elementet më të rëndësishme të hetimit është materiali i mbledhur në bordin e jahtit familjar, i pajisur me një sistem kamerash sigurie. Regjistrimet e sekuestruara si prova në dosje janë rreth 30 mijë dhe, sipas akuzës, dokumentojnë disa episode dhune dhe keqtrajtimi. Ky material filmik mund të luajë një rol qendror në rindërtimin e ngjarjeve dhe në verifikimin e deklaratave të bëra nga viktima.

Sipas avokatëve të sipërmarrësit, të cilët e përshkruajnë periudhën e kaluar me bashkëshorten si një gjendje thuajse të vazhdueshme terrori, bëhej fjalë për një torturë të mirëfilltë.

Prokuroria kishte shqyrtuar edhe mundësinë e ngritjes së kësaj akuze, por vendosi të mos e përfshinte për arsye juridike. Përveç keqtrajtimit dhe plagosjes së rëndë, gruas i atribuohet edhe vepra penale e shfrytëzimit të një personi të paaftë për të kuptuar apo për të vepruar.

Sipas akuzës, gjatë kësaj periudhe ajo dyshohet se kishte transferuar rreth 200 mijë euro nga pasuria e sipërmarrësit në llogarinë e saj bankare. Burri, i dëmtuar rëndë edhe psikologjikisht, është kthyer të jetojë me prindërit e tij. Avokatët e tij kanë paraqitur një kërkesë për dëmshpërblim që tejkalon një milion euro.

Një tjetër kapitull i çështjes lidhet me një kallëzim të kundërt të paraqitur nga gruaja ndaj bashkëshortit. Në qershorin e kaluar, gjyqtari për hetimet paraprake në Milano vendosi pushimin e çështjes, duke e cilësuar kallëzimin si një manovër të vonuar, të synuar për të ndikuar në hetim pas arratisjes së burrit.