“E di saktësisht cili është roli im në ekip”. Është kjo deklarata e dhënë nga portieri polka Wojciech Szczesny, që vazhdon të jetë i dyti në hierarkinë e skuadrës së Barcelonës.
“Joan është një portier i shkëlqyer, prandaj ai është titullari. Unë thjesht dua ta shijoj këtë përvojë, sepse kam punën më të mirë në botë. Paguhem për të parë Barcelonën të luajë nga vendi më i mirë në stadium”, tha më tej Szczesny.
Ai ka sqaruar pozicionin e tij brenda skuadrës, me sinqeritet dhe qetësi të plotë. Polaku shfrytëzoi rastin për të theksuar cilësitë e kolegut të tij portier, duke pranuar pa hezitim hierarkinë e vendosur nga trajneri.
Deklarata e tij dëshmon për një atmosferë të relaksuar dhe një frymë të fortë bashkimi brenda grupit katalanas, ku respekti për rolet individuale dhe harmonia mes portierëve janë elemente kyçe për pjesën e mbetur të sezonit.







