Thursday / November 5 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Karriera Menaxhim

Kolegu im nuk i pëlqente email-et e shkruara me IA, ndaj më ngriti një kurth

Share Share Icon

Një koleg dhe mik i ngushtë vendosi të më ngrinte një kurth, pasi dyshonte se po përdorja inteligjencën artificiale për t’iu përgjigjur email-eve të tij.

Në një mesazh kishte fshehur një udhëzim për sistemin, duke i kërkuar të shpërfillte komandat e mëparshme dhe të përfshinte në përgjigje një recetë tiramisu-je.

E vura re udhëzimin dhe vendosa t’ia ktheja me shaka. I dërgova vetë një recetë tiramisu-je me aquavit, një pije alkoolike skandinave. Por ai nuk qeshi. Mendoi se përgjigjen e kishte gjeneruar inteligjenca artificiale dhe u zemërua.

“Nuk kam nevojë për një email më të mirë. Kam nevojë të di se je ti ai që i lexon email-et e mia”, më shkroi.

Unë drejtoj një qendër kërkimore në Norvegji me mbi 100 punonjës. Në ditë të zakonshme marr rreth 200 email-e, ndërsa në ditët më të ngarkuara deri në 500. Prej vitesh kam rreth 15 mijë mesazhe të palexuara.

Për të përballuar këtë ngarkesë, shpesh përgjigjesha me nxitim nga telefoni, ndërmjet takimeve. Anglishtja është gjuha ime e dytë dhe mesazhet përmbanin herë pas here gabime, fjali të paplota apo shprehje të pazakonta.

Kur kolegët më sugjeruan një asistent të inteligjencës artificiale, mendova se do të më ndihmonte të shkruaja më shpejt dhe më mirë. Dhe ashtu ndodhi. Mjaftonte të hidhja disa fjali dhe sistemi i kthente në email-e të sjellshme, të qarta dhe të strukturuara.

Për rreth një vit, nuk pashë ndonjë problem. Por incidenti me tiramisunë më bëri të reflektoja.

Vendosa të shtoja një shënim në fund të çdo email-i, ku sqaroja se mund të përdorja inteligjencën artificiale për hartimin dhe redaktimin e korrespondencës rutinë, por se çdo mesazh kontrollohej prej meje.

Megjithatë, kolegët filluan të më thoshin diçka që nuk e prisja: nuk kishin nevojë për email-e më të bukura.

Atyre u mungonin pikërisht fjalitë e mia të shkurtra, gabimet, shprehjet e çuditshme dhe pikëçuditëset e tepërta. Ishin detaje që më karakterizonin. Mesazhet e përmirësuara nga inteligjenca artificiale nuk tingëllonin më si unë.

Edhe pse puna ime si studiues është të analizoj mënyrën se si njerëzit përdorin asistentët e inteligjencës artificiale, e kisha të vështirë të kuptoja pse kolegët shqetësoheshin nga email-et e përmirësuara me ndihmën e tyre.

Miku im më ndihmoi të kuptoja se një përgjigje personale nuk është thjesht shkëmbim informacioni. Ajo është edhe një shenjë vëmendjeje dhe respekti ndaj personit që të ka shkruar. Stili im i zakonshëm e siguronte se mesazhin e kisha lexuar dhe përgjigjen e kisha menduar vetë.

Sot, përpara se të përdor inteligjencën artificiale, pyes veten: “Çfarë pret ky person prej meje?”

Për korrespondencën rutinë vazhdoj ta përdor, duke e bërë të qartë këtë. Por kur u shkruaj njerëzve me të cilët punoj ngushtë, preferoj t’u përgjigjem vetë, edhe me ndonjë gabim apo fjali të formuluar keq.

Inteligjenca artificiale mund t’i bëjë email-et më të mira, por ndonjëherë mund të dobësojë lidhjen njerëzore.

Sepse jo gjithmonë kemi nevojë për fjalët më të përsosura. Ndonjëherë duam thjesht të dimë se pas tyre është njeriu që njohim. / Science

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Analiza e tregut të arit

Nga Makeliana Beu*   Çmimi i arit ka rënë nën nivelin e 3,900 dollarëve për oncë (duke u luhatur rreth 3,875–3,895 dollarë), duke prekur kësht...

3 days më parë 11 Min Lexim

Mësimet më të vlefshme të jetës, që shpesh i kuptojmë vonë

Në moshën 40-vjeçare, karriera, ambicia dhe suksesi profesional duken shpesh si përparësitë më të rëndësishme të jetës. Por, kur i afrohesh të 80-a...

4 days më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!