Shqiptari drejtonte organizatën kriminale nga burgu, urdhëronte sulme me granata ndaj bizneseve në Athinë

Media greke ka publikuar pamje filmike që dokumentojnë veprimtarinë e anëtarëve të një organizate kriminale, të dyshuar për përfshirje në raste zhvatjeje, kërcënimesh dhe shpërthimesh me eksploziv në Athinë.
Sipas raportimit të Protothema.gr, në krye të organizatës dyshohet se qëndron një shtetas shqiptar 49-vjeçar, i dënuar për vepra të rënda penale dhe që aktualisht ndodhet në burgun e Trikalas.
Si bashkëpunëtorët e tij më të afërt përmenden një shtetas rom, i burgosur në Malandrino, dy shtetas egjiptianë që vuajnë dënimin në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos, si dhe pesë persona të tjerë që janë arrestuar nga autoritetet greke.
Pamjet e publikuara tregojnë sulmet me granata që të dyshuarit kanë kryer ndaj dy bizneseve në qendër të Athinës, në fillim të muajit shtator.
Në një tjetër video dokumentohet një sulm i ndodhur në fillim të tetorit, ndaj njërit prej dy bizneseve të shënjestruara më herët. Autorët shihen teksa kalojnë pranë lokalit, hedhin një granatë në ambientet ku ndodheshin klientë dhe më pas largohen me shpejtësi. Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu, duke shmangur pasoja të mundshme tragjike.
Si funksiononte organizata kriminale e drejtuar nga burgu
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, të dyshuarit ishin pjesë e një organizate kriminale me aktivitet të vazhdueshëm, strukturë të qëndrueshme hierarkike dhe ndarje të qartë të roleve.
Rolin drejtues e kishte 49-vjeçari shqiptar, i cili, pavarësisht se ndodhej në burg, dyshohet se vijonte të kontrollonte aktivitetin e grupit. Ai përcaktonte objektivat e sulmeve, jepte udhëzime për anëtarët e tjerë dhe mbikëqyrte realizimin e veprimeve kriminale.
Ndërkohë, anëtarët e tjerë kishin detyra të ndryshme, në varësi të sulmit që planifikohej. Ata merreshin me mbledhjen e informacioneve për objektivat, vëzhgimin e banesave dhe ambienteve të ndryshme, identifikimin e personave dhe automjeteve, fotografimin dhe hartëzimin e zonave, sigurimin e mjeteve të nevojshme, si dhe realizimin e sulmeve dhe largimin nga vendngjarja.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se organizata kishte arritur të ruante funksionimin dhe koordinimin e aktivitetit kriminal edhe kur anëtarët kryesorë të saj ndodheshin pas hekurave.
Bashkëpunëtorët që ishin gjithashtu të burgosur dyshohet se shërbenin si hallka komunikimi mes drejtuesit dhe personave që vepronin jashtë ambienteve të burgut. Ata përcillnin urdhrat, koordinonin veprimet dhe siguronin vazhdimësinë e aktivitetit të organizatës.




