
Real Madridi ka arritur një fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj AEK Athinës, duke triumfuar me rezultatin 3-2 në Champions League. Ky sukses i ka mundësuar skuadrës madrilene të barazohet me Paris Saint-Germain në krye të renditjes së fazës së ligës, megjithëse francezët ruajnë vendin e parë falë golavarazhit më të mirë.
Megjithatë, pas përfundimit të takimit, në kampin madrilen ka shpërthyer një tjetër debat, këtë herë në lidhje me kalendarin e kampionatit spanjoll. Në qendër të kritikave është vendosur presidenti i La Ligës, Javier Tebas, për shkak të programimit të ndeshjes së radhës së Real Madridit ndaj Valencias që të zhvillohet të shtunën, vetëm tri ditë pas angazhimit në Champions League.
Kritikat janë artikuluar përmes televizionit zyrtar të klubit, Real Madrid TV, ku një prej komentuesve ka shprehur hapur pakënaqësinë për vendimin.
“Nuk ka asnjë kuptim që Real Madridi të luajë të shtunën, pasi ka zhvilluar një ndeshje në Champions League sot. Ky kalendar kushtëzohet nga Tebas, i cili na trajton sikur të ishim një skuadër lituaneze”, u shpreh komentuesi, në një deklaratë të publikuar edhe nga AS.
Gjatë analizës pas ndeshjes nuk kanë munguar as vlerësimet për José Mourinhon dhe mënyrën se si po menaxhon grupin e lojtarëve. Vendimi për të lënë jashtë udhëtimit emra si Arda Güler dhe Aurélien Tchouaméni është konsideruar si një dëshmi e besimit të trajnerit te i gjithë kontingjenti.
“Mourinho ka besim te e gjithë skuadra, ndaj la në shtëpi Güler dhe Tchouaméni. Nëse fiton këtë ndeshje, ke përmbushur pothuajse gjysmën e objektivit në fazën e ligës. Në Greqi nuk ishte aspak e lehtë të luaje”, u shpreh komentuesi.
