Turqia refuzoi raportin vjetor të Komisionit Europian për progresin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar “të njëanshëm” e “të mbështetur” në “akuza të pabaza” ndaj Ankarasë. Autoritetet turke kanë paralajmëruar edhe reagim diplomatik ndaj gjetjeve të raportit.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e kritikoi, veçanërisht vlerësimet që lidhen me standardet demokratike, pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat themelore. Sipas Ankarasë, një pjesë e konsiderueshme e konstatimeve nuk pasqyrojnë realitetin në vend dhe nuk marrin parasysh reformat dhe masat e ndërmarra nga institucionet turke.
Ministria kundërshton “qasjet selektive” në vlerësimin e çështjeve të brendshme të Turqisë dhe kërkon që marrëdhëniet me Bashkimin Evropian të bazohen në barazi, respekt të ndërsjellë e objektivitet, pa paragjykime politike.
Ankaraja po përgatitet të thërrasë ambasadorin e Bashkimit Europian në Turqi, Ivo Orav, për t’i dorëzuar një notë zyrtare proteste. Dokumenti do të përmbajë kundërshtimet e qeverisë turke ndaj përmbajtjes së raportit dhe kritikave të adresuara nga Brukseli.
Sipas të njëjtit burim, ky hap synon t’i komunikojë zyrtarisht Bashkimit Europian qëndrimin e Turqisë dhe kundërshtimin ndaj asaj që Ankaraja e konsideron “qasje të pabalancuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me vendin”.
Raporti i Komisionit Evropian analizon zhvillimet politike, ekonomike dhe ligjore në Turqi, si dhe progresin e bërë në përafrimin e legjislacionit turk me standardet e BE-së. Dokumenti shpreh shqetësime për pavarësinë e sistemit gjyqësor, sundimin e ligjit, liritë politike, lirinë e shprehjes e të medias.
Gjithashtu, raporti trajton mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian lidhur me Qipron dhe Mesdheun Lindor, duke përfshirë çështjet e të drejtave detare dhe shfrytëzimit të burimeve energjetike.
Ankaraja reagoi duke akuzuar Brukselin se mban qëndrime pranë Greqisë dhe Qipros në këto mosmarrëveshje, ndërsa ritheksoi se nuk do të pranojë vlerësime që sipas saj, anashkalojnë interesat dhe të drejtat e Turqisë në rajon.
Pavarësisht tensioneve me Brukselin, Turqia vazhdon të deklarojë se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një objektiv strategjik i politikës së saj të jashtme.