Abissnet Superiore në RTSH/ Statistikat pas 10 javësh, 35 gola më shumë se një vit më parë

Abissnet Superiore 2026–2027 ka regjistruar tregues pozitivë në aspektin sportiv pas përfundimit të 10 javëve të para. Ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të golave, më shumë futbollistë të aktivizuar dhe një ulje të kartonëve krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar.
Në 50 ndeshjet e zhvilluara deri në javën e 10-të, skuadrat kanë shënuar gjithsej 131 gola, kundrejt 96 golave në sezonin 2025–2026. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 36%, 35 gola më shumë, ndërsa mesatarja ka shkuar në 13.1 gola për javë, nga 9.6 që ishte një sezon më parë.

Edhe numri i asistimeve ka shënuar rritje, duke kaluar nga 40 në 64, një tjetër tregues i produktivitetit ofensiv të skuadrave në këtë edicion. Egnatia kryeson në këtë aspekt me 20 gola të shënuar, ndërsa Atdhe Mazari dhe Bernard Karrica janë golashënuesit më të mirë deri në këtë fazë, me nga 6 gola secili.
Një tjetër element pozitiv është rritja e numrit të futbollistëve të aktivizuar. Në 10 javët e para të këtij sezoni kanë zbritur në fushë 290 lojtarë, kundrejt 268 në sezonin e kaluar. Gjithashtu, mosha mesatare e futbollistëve është ulur nga 25.45 në 24.46 vjeç, duke reflektuar një kampionat me profil më të ri sa i përket futbollistëve të aktivizuar.

Në aspektin disiplinor, statistikat tregojnë një ulje të numrit të kartonëve. Në 50 ndeshjet e këtij sezoni janë dhënë 236 kartonë të verdhë dhe 8 kartonë të kuq, ndërsa në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar ishin regjistruar 279 kartonë të verdhë dhe 14 të kuq.
Pas 10 javësh, Egnatia kryeson renditjen me 24 pikë, e ndjekur nga Teuta me 20 dhe Dinamo City me 17 pikë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



