BRUKSEL – Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë në detaje masat e reja ndaj Gjeorgjisë në muajin janar, për shkak të përkeqësimit të standardeve demokratike në vend.

Lajmi u bë i ditur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, gjatë prezantimit të raporteve vjetore të Komisionit Evropian për progresin e vendeve kandidate.

Kallas deklaroi se qeveria gjeorgjiane ndodhet në një kurs përplasjeje me Bashkimin Evropian, për shkak të regresit demokratik dhe hapave që, sipas saj, po ndërmerren në drejtimin e gabuar.

“Qeveria gjeorgjiane është në një kurs përplasjeje me Bashkimin Evropian. Hapat që janë ndërmarrë tani nuk po shkojnë në drejtimin e duhur”, theksoi ajo, raporton Euronews.

Sipas Kallas, diskutimi i parashikuar për muajin janar do t’u japë mundësi vendeve anëtare të BE-së të harmonizojnë qëndrimet dhe të përcaktojnë një përgjigje të përbashkët ndaj veprimeve të autoriteteve në Tbilisi.

Marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tbilisit janë përkeqësuar për shkak të shqetësimeve të Bashkimit Evropian lidhur me zhvillimet demokratike dhe respektimin e standardeve evropiane në Gjeorgji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb