Stavro Pilo po përjeton një sezon fantastik me AEK-un e Athinës në Champions League. Pas golit të realizuar ndaj Manchester City-t disa javë më parë, futbollisti i Kombëtares shqiptare ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, këtë herë kundër Real Madridit.
Mbrojtësi kuqezi ishte një nga protagonistët e skuadrës greke në përballjen me madrilenët, që përfundoi me fitoren 3-2 të spanjollëve. AEK-u ishte shumë pranë një rezultati pozitiv, por goli i Valverdes në fund të takimit i dha fitoren Realit.
Pavarësisht humbjes, Pilo u shfaq optimist pas ndeshjes, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe frymën konkurruese që ka krijuar AEK-u. Në prononcimin për mediat, ai theksoi se ekipi luftoi deri në fund dhe se përballje të tilla shërbejnë si mësime të rëndësishme për të ardhmen.
“Ne ishim shumë pranë, nga minuta e parë deri në të fundit. Na mungoi shumë pak për të fituar. Ky është AEK-u dhe kjo është ajo që kemi ndërtuar që prej momentit kur fituam titullin kampion. Besoj se do të vazhdojmë në këtë rrugë.
Kundër skuadrave të tilla duhet të jesh gjithmonë i përqendruar, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Diferencat në çdo aspekt ishin shumë të vogla. Përgëzime të gjithë djemve, të cilët janë të jashtëzakonshëm. Humbja nuk ka rëndësi, ne duhet të shohim përpara”, u shpreh mbrojtësi shqiptar.
Pilo pranoi se në minutat e fundit të ndeshjes skuadra duhet të kishte treguar më shumë kujdes, sidomos në një fazë kaq të rëndësishme të kompeticionit.
“Në minutën e 90-të, në këtë fazë të turneut, duhet ta largosh topin nga zona e rrezikut. Por ata kanë shumë cilësi. Gjithsesi, këto janë leksione për ne dhe duhet të vazhdojmë përpara. Jemi një skuadër e madhe dhe do të vazhdojmë ta tregojmë këtë”, deklaroi ai.
Në fund, futbollisti i Kombëtares shqiptare nënvizoi se AEK-u nuk ndryshon qasje pavarësisht emrit të kundërshtarit, duke garantuar se skuadra do të luftojë në çdo ndeshje.
“Ne luftojmë në çdo takim. Nuk ka rëndësi nëse përballemi me Real Madridin apo Comon. Do të japim gjithmonë maksimumin dhe do të vazhdojmë ta tregojmë këtë në fushë”, përfundoi Stavro Pilo.
© SYRI.net
Zbulohet shkaku i vdekjes së Jesus de Miguel, autopsia konfirmon traumën në kraharor
Amorim paralajmëron para Ferencvarosit: Derbi është harruar, duam të shkojmë deri në fund në Europa League
Sfida europiane kundër Ferencvarosit (18:45), Milani planifikon rotacion të gjerëBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: