Mediat italiane kanë zbuluar identitetin dhe fotografinë e 21-vjeçarit shqiptar Eduart Xhani, i dyshuar për vrasjen e nënës së tij, Meleqe Lusha, 39 vjeçe. Krimi i rëndë ndodhi dy ditë më parë në banesën e familjes në qytetin Chiari, në provincën e Brescias, duke tronditur komunitetin vendas.

Sipas raportimeve të mediave italiane, i riu dyshohet se e ka goditur të ëmën rreth dhjetë herë me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale. Pas ngjarjes, ai është larguar nga banesa me automjet, ndërsa disa orë më vonë është paraqitur vullnetarisht pranë autoriteteve policore.

Hetuesit italianë po përpiqen të zbardhin motivin e krimit, i cili deri më tani mbetet i paqartë. Sipas informacioneve të publikuara, 21-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të japë një shpjegim për veprimin e tij dhe nuk ka përmendur ndonjë konflikt apo pakënaqësi ndaj nënës.

Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me gjendjen e tij të shëndetit mendor. Autoritetet pritet të kërkojnë një ekspertizë psikiatrike për të vlerësuar gjendjen e të riut dhe për të përcaktuar nëse ndonjë çrregullim i mundshëm mund të ketë ndikuar në sjelljen e tij.

Ndërkohë, ngjarja ka lënë të tronditur fqinjët dhe personat që njihnin familjen shqiptare. Ata shprehen se nuk kishin vënë re më parë sjellje shqetësuese nga 21-vjeçari.

Një ish-fqinj e ka përshkruar Eduartin si një djalë të qetë dhe punëtor, të cilin e shihte shpesh duke shkuar drejt stacionit për të marrë transportin për në punë.

Edhe për 39-vjeçaren, banorët e zonës kanë vetëm fjalë të mira. Pronari i një dyqani në qendër të Chiarit e ka përshkruar Meleqe Lushën si një grua të dashur dhe të sjellshme, ndërsa ka shprehur habinë dhe dhimbjen për tragjedinë.

“Jemi pa fjalë. Ishin njerëz të mirë. Nuk e di se si mund të ketë ndodhur diçka e tillë”, është shprehur ai për mediat italiane.

Tregtari ka bërë të ditur gjithashtu se synon të organizojë një nismë për mbledhjen e fondeve në ndihmë të familjes Lusha.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe motivin e krimit që i mori jetën 39-vjeçares shqiptare.