​‘Paketa fiskale godet transportin publik’/ Foni: Çmimi i biletës rritet automatikisht, qeveria ta bëjë sa vendet e rajonit

10:03, 05/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Publik Tiranë, Kostandin Foni, ka ngritur shqetësimin për barrën e lartë fiskale që rëndon operatorët e transportit publik, duke paralajmëruar se rritja e kostove mund të çojë në shtrenjtimin e biletave.

Foni theksoi se kompensimi prej 50 lekësh për litër naftë, i parashikuar në paketën antikrizë, nuk zgjidh problematikën kryesore, ndërsa kërkoi ndërhyrjen e qeverisë për uljen e TVSH-së, tatim-fitimit dhe lehtësimin e detyrimeve fiskale.

Ai nënvizoi se operatorët nuk kanë kërkuar rritjen e çmimit të biletës, por kostot shtesë duhet të përballohen nga dikush: ose nga qytetarët përmes një rritjeje të mundshme të tarifës, ose nga qeveria përmes kompensimit.

Foni tha se çmimi i biletës nuk vendoset nga operatorët, por me vendim të Këshillit Bashkiak për transportin qytetas dhe të Këshillit të Ministrave për transportin interurban.

Pjesë nga intervista:

Sot presim që të zbardhet edhe mendimi i qeverisë për paketën antikrizë, e cila parashikon 50 lekë për litër, për periudhën qershor-tetor, për të gjithë operatorët e transportit publik. Por, përveç kësaj, më e rëndësishme është paketa fiskale që ka lançuar qeveria dhe aty kemi parë se, sa i përket shportës fiskale, ne nuk jemi pjesë e TVSH-së.

Që në momentin që TVSH-ja rritet, dividenti dyfishohet dhe tatim-fitimi po ashtu ka rritjen e vet, automatikisht shkojmë drejt indeksimit të biletës, pasi inflacioni do të ketë rritjen e vet. Indeksimin e biletës nuk e vendosin operatorët, por bëhet me vendim të Këshillit Bashkiak për transportin qytetas dhe me vendim të Këshillit të Ministrave për transportin interurban.

Ne nuk kemi kërkuar as të indeksohet bileta dhe as të rrisim koston për qytetarin.

Me logjikë financiare dhe ekonomike, patjetër që duhet të shkojë drejt rritjes, pasi nuk ka rrugë tjetër. Kostot e shtuara të operatorëve kanë një faturë në fund të muajit dhe dikush duhet ta paguajë. Në rast se nuk do ta paguajnë qytetarët, atëherë do të kompensohet nga ana e qeverisë.

Heqjen dhe lehtësimin e barrës fiskale në transportin publik nuk po e kërkojmë sot, kur është paraqitur një paketë fiskale. Ne prej vitesh kemi kërkuar që TVSH-ja në shitje në transportin publik të bëhet siç është edhe në vendet e rajonit, pa folur për vendet e zhvilluara, që e kanë zero, por të zbresë deri në 6 për qind, siç e kanë edhe vendet e rajonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco