Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të pesë kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë përfunduar me sukses studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë.
Siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes, ceremonia është organizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë, njofton Dukagjini.
Kadetët që diplomuan janë Xheto Kelmendi në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nika në logjistikë, Gentri Azemi në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmani dhe Betim Elshani në polici ushtarake.
Pas përfundimit të studimeve, oficerët e rinj do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë, deri më tani 18 kadetë të FSK-së kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake gjermane, ndërsa 16 të tjerë janë duke vijuar studimet në akademi të ndryshme të këtij shteti.
Po ashtu, përmes programit “Military Training Assistance”, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë përfituar nga trajnime të ndryshme në Gjermani.
“Bashkëpunimi me Republikën Federale të Gjermanisë përbën një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, avancimin e arsimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe në forcimin e mëtejmë të kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.