Kumbaro uron Ditën Botërore të Gjuhës Rome: Të inkurajojmë të folurit dhe të shkruarit e saj

Arsim | 1 minutë më parë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Mirela Kumbaro, ka uruar komunitetin rom me rastin e Ditës Botërore të Gjuhës Rome, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kësaj gjuhe si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe diversitetit gjuhësor.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kumbaro e cilësoi gjuhën rome si një pasuri të çmuar kulturore, ndërsa bëri thirrje për inkurajimin e përdorimit të saj nga brezat e rinj.

“Gëzuar Ditën Botërore të Gjuhës Rome, kësaj luleje plot kolorit të pemës së diversitetit tonë gjuhësor, me mesazhin për të inkurajuar sa më shumë të folurit e të shkruarit e saj, por edhe talentet, aftësitë dhe kreativitetin e fëmijëve të komunitetit rom që pasurojnë peizazhin tonë kulturor, promovimin e vlerave të trashëgimisë dhe gjithëpërfshirjes”, shkruan Kumbaro.

Dita Botërore e Gjuhës Rome shënohet çdo vit më 5 nëntor dhe synon promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës rome, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e saj në ruajtjen e identitetit të komunitetit rom.

Gjuha rome është një gjuhë indo-ariane, e lidhur historikisht me gjuhët e Indisë, dhe flitet sot nga komunitetet rome në më shumë se 50 shtete të botës. Ajo përfshin një numër dialektesh, të formuara si rezultat i migrimeve dhe ndërveprimeve historike të këtij komuniteti.

UNESCO shpalli Ditën Botërore të Gjuhës Rome në vitin 2015, me synimin për të promovuar ruajtjen e gjuhës dhe kulturës rome, për të përmirësuar mirëqenien e komuniteteve rome dhe për të theksuar rëndësinë e diversitetit gjuhësor si një vlerë për të gjitha shoqëritë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme