Osmani: Në 2027 një mësues për çdo fëmijë me aftësi të veçanta, artistët dhe zejtarët mund të aplikojnë për programin “After School”
Zëvendësministrja e Arsimit, Oriana Osmani, ishte e ftuar në studion e emisionit “7pa5” në Vizion Plus, nën moderimin e Brikena Priftit, ku foli për prioritetet e buxhetit të arsimit për vitin 2027, investimet në sistemin arsimor, si dhe protestën e studentëve.
Osmani bëri të ditur se buxheti i Ministrisë, i cili ka pësuar një rritje për vitin 2027, 748 mln euro, do të përqendrohet në katër fusha kryesore, arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe infrastrukturën. Ajo theksoi se një nga objektivat është shtimi i numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla, si dhe përmirësimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të veçanta.
Osmani: Sa i përket buxhetit të Ministrisë, do të shikohet në katër fusha kryesore, arsimi parauniversitar, që mbetet shtylla kryesore e investimit që do të ndodhë në arsim. Sigurisht, arsimi i lartë, kërkimi shkencor dhe infrastruktura. Sa i përket arsimit universitar, është investim sepse do të shtojmë numrin e punonjësve socialë dhe psikologëve. Do të shtojmë rreth 150 psikologë dhe punonjës socialë në të gjithë sistemin tonë arsimor. Në vitin 2027 shkojmë me një mësues për një fëmijë me aftësi të veçanta. Kjo është një politikë sociale shumë e rëndësishme. Nëse në vitin 2025 kishim një mësues për katër fëmijë, në 2027 do të kemi një mësues për një fëmijë. Shumë i rëndësishëm për t’u theksuar është programi pas shkolle. Jemi duke pilotuar në 408 shkolla, kemi strukturuar programin pas shkolle dhe për vitin 2027 ka një hapësirë në buxhet me 5 milionë euro për atë që do të ndodhë edhe me shtesën e orarit që ne do të bëjmë në shkollë. Është një mbështetje sociale, një program që përzgjidhet prej prindërve dhe fëmijëve sipas talenteve të tyre. Sa i përket arsimit të lartë, do të vijojë investimi në degët prioritare.
E pyetur për protestën e studentëve, zëvendësministrja Osmani u shpreh se Ministria ka kërkuar vazhdimisht dialog dhe është e gatshme të dëgjojë kërkesat e tyre. Ajo theksoi se përmes diskutimeve synohet të gjenden zgjidhje dhe të merren vendime që u përgjigjen nevojave të studentëve.
Osmani: Është e rëndësishme që ne gjatë gjithë këtyre ditëve kemi kërkuar dialog, të ulemi të diskutojmë ato që ata kërkojnë. Ne i presim për të diskutuar, për të marrë edhe të tjera vendime, për të shkuar te çdo student dhe te nevojat që ata artikulojnë. Një buxhet i dedikuar për arsimin përkthehet në cilësi. Ka edhe sfida. Reformat shoqërohen me sfida, të cilat do të na duhet t’i përballojmë. Nuk është e rëndësishme thjesht të kesh vetëm godinën, pra shkolla të reja. Duhet të kesh burimet njerëzore. Ne jemi duke u përpjekur për t’i trajnuar me të gjitha aftësitë e fundit.
Gjatë intervistës, Osmani u pyet edhe se si do të funksionojë programi “After School” dhe nëse në të do të angazhohen mësuesit që janë aktualisht pjesë e sistemit arsimor, me orar të zgjatur, apo do të ketë edhe punësime të reja.
Zëvendësministrja bëri të ditur se është hapur thirrja e tretë për aplikime. Përveç mësuesve që janë aktualisht në sistem, mund të aplikojnë edhe mësuesit që janë në portal dhe ende nuk kanë gjetur punë, si dhe artistë, zejtarë e profesionistë të fushave të ndryshme, nëse plotësojnë dokumentacionin e kërkuar.
Osmani: Sapo është hapur thirrja e tretë. Mund të aplikojnë mësuesit të cilët janë në sistem. Por, përveç tyre, mësuesit të cilët janë në portal dhe ende nuk kanë gjetur punë mund të aplikojnë. Përveç tyre, mund të jenë artistë, zejtarë, profesionistë të cilët mund të aplikojnë kundrejt të gjitha dokumenteve që aprovohen nga zyrat vendore arsimore. Ka filluar, ne jemi shumë të kënaqur nga rezultatet e muajit të parë. Është një mundësi që fëmijët përmes këtij programi të mësojnë, ndërsa shkolla do të jetë edhe argëtuese. Prindërit duhet të kuptojnë që ky është një proces shumë i rëndësishëm për trajnimin e fëmijëve.




