Policia e Tiranës ka vendosur 31 gjoba administrative ndaj qytetarëve që morën pjesë në tubimin e zhvilluar pasditen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me pretendimin se kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e automjeteve.
Ndërkohë, dy shtetas të tjerë janë proceduar penalisht për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë, pasi nuk kanë pranuar të paraqesin dokumentet e identifikimit. Gjobat e vendosura janë në vlerën 5 mijë lekë secila.
Njoftimi i policisë/ Tiranë
Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve, gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 31 masa administrative.
Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 31 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit.
Për secilin prej këtyre shtetasve është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit D. G. dhe E. L., pasi dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentet e identifikimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net