Ky është 21-vjeçari shqiptar, Eduart Xhani, i cili vrau nënën e tij 39-vjeçare, Meleqe Lusha dy ditë më parë, në banesën tyre në Chiari të Breacias, në Itali.
Sipas mediave italiane, i riu e goditi rreth 10 herë me thikë nënën e tij. Pas krimit, ai u largua me makinë, por disa orë më vonë vendosi të paraqitej në polici dhe të dorëzohej.
Ndërkohë, autoritetet italiane dyshojnë se 21-vjeçari mund të ketë probleme të shëndetit mendor. Për këtë arsye, pritet t'i nënshtrohet një vlerësimi psikiatrik, për të përcaktuar gjendjen e tij.
Hetuesit bëjnë me dije se Eduart Xhani nuk ka qenë në gjendje të shpjegonte motivin e vrasjes, ndërsa mësohet se nuk kishte shfaqur pakënaqësi ndaj nënës së tij.
“Ai ka qenë gjithmonë një djalë i mirë. Shpesh e shihja të ecte drejt stacionit për të shkuar në punë”, është shprehur një ish-fqinj, i cili shton se nuk kishte vënë re asnjë problem apo shqetësim tek i riu.
Edhe një tjetër fqinj e ka përshkruar Meleqe Lushën si një grua të sjellshme dhe të dashur.
“Ajo ishte një grua shumë e ëmbël, e sjellshme, njësoj si djali i saj. Jemi pa fjalë. Ata janë njerëz të mirë. Nuk e di se si ndodhi kjo”, është shprehur pronari i një dyqani në qendër të qytetit.
Ai ka bërë gjithashtu të ditur se do të organizojë një mbledhje fondesh në ndihmë të familjes Lusha.












Komente
Komento