Supa e peshkatarit – Supa e vjeshtes se tretë nga shefja e kuzhinës Albana Mançja

Përbërësit:
3 qepë të mëdha, të prera në rrathë
1 patate e madhe, e prerë në feta
1 barbunj
1 merluc
5 karkaleca deti të plotë
1 dorë peshq të vegjël( sardele / acuge)
80 ml vaj ulliri ekstra i virgjër
Kripë sipas shijes
Piper i zi i sapobluar
Ujë aq sa të mbulohen përbërësit
Përgatitja:
Në një tenxhere të madhe dhe të thellë shtrojmë qepët e prera në rrathë, duke mbuluar të gjithë fundin e saj.
Sipër qepëve vendosim pataten e prerë në feta.
Më pas shtojmë barbunët, karkalecat e detit, açuget dhe dy merlucët e vegjël.
Në fund vendosim merlucin e madh.
I rregullojmë me kripë dhe piper të zi, shtojmë vajin e ullirit dhe hedhim ujë aq sa të mbulohen të gjithë përbërësit.
Vendosim tenxheren në zjarr të fortë, pa kapak, derisa të marrë valë.
Sapo të fillojë zierja, ulim temperaturën dhe e lëmë të ziejë ngadalë.
Gjatë zierjes largojmë shkumën që krijohet në sipërfaqe.
Pas rreth 20 minutash nxjerrim me kujdes merlucin e madh dhe e vendosim mënjanë, pasi do ta përdorim për servirje.
Peshqit e tjerë, karkalecat dhe perimet i lëmë të ziejnë në zjarr të ulët edhe për 60–75 minuta, derisa të zbuten plotësisht dhe të lëshojnë të gjitha shijet në lëng.
E largojmë tenxheren nga zjarri.
Mbi një enë të madhe vendosim një napë të pastër pambuku, me thurje të dendur, ose një garzë të posaçme kuzhine.
Hedhim me kujdes në të gjithë përmbajtjen e tenxheres.
Mbledhim cepat e napës dhe, pasi masa të jetë ftohur mjaftueshëm për t’u prekur, e shtrydhim dhe e përdredhim fort, në mënyrë që të nxjerrim sa më shumë lëng nga peshqit dhe perimet.
Ky është sekreti i Kakavias tradicionale: përftimi i gjithë shijes së përqendruar nga peshqit dhe perimet e ziera ngadalë.
Supën e kulluar e shërbejmë të nxehtë në pjata të thella.
Në secilën pjatë shtojmë disa copa nga merluci i madh që kemi ruajtur më parë, pasi i kemi hequr me kujdes të gjitha halat.
Rezultati është një supë me lëng të pastër, të pasur dhe plot aromë deti, pa copa perimesh apo peshqish të vegjël.




