Nga Ndriçim Kulla - 11:06, 05/11/2026
Rezultatet e një sondazhi të zhvilluar nga një agjenci ndërkombëtare, ku evidentohet një epërsi e opozitës ndaj pushtetit të Edi Ramës, marrin një kuptim shumë më të madh se një parashikim elektoral. Ato mund të lexohen si një sinjal i fortë i ndryshimit të klimës politike dhe, mbi të gjitha, si një provë e zhvillimit të vetëdijes së elektoratit shqiptar.
Nuk është thjesht çështja se kush del përpara në një matje të opinionit publik. Çështja është se çfarë po i thotë ky elektorat klasës politike dhe nëse kjo e fundit ka aftësinë ta dëgjojë mesazhin pa e deformuar atë në interes të llogarive të veta partiake. Votuesi shqiptar, i cili ka përjetuar për vite me radhë zhgënjimin, largimin masiv të bashkëqytetarëve, pasigurinë ekonomike, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve, duket se po e kupton gjithnjë e më shumë se ndryshimi nuk mund të vijë nga një opozitë e copëzuar, ku secila pjesë kërkon të shpëtojë më parë identitetin dhe interesin e vet sesa të ndërtojë një alternativë fituese.
Ky është thelbi i këtij mesazhi. Elektorati po u kërkon partive opozitare të dalin nga rrethi i ngushtë i rivaliteteve të tyre dhe të kuptojnë se përballë tyre nuk ndodhet thjesht një parti tjetër politike, por një pushtet që, sipas kritikëve të tij, ka përqendruar në mënyrë diktatoriale kontrollin mbi jetën politike, institucionale dhe publike të vendit. Një pushtet që ka krijuar një raport shkatërrues me konkurrencën politike dhe që e ka bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një balance demokratike. Përballë një realiteti të tillë, opozita nuk mund të sillet sikur ndodhet në një garë të zakonshme, ku secili numëron votat e veta, mat madhësinë e flamurit të vet dhe pret që historia t'i japë përparësi mbi të tjerët.
Historia nuk ka shumë durim me ata që ngatërrojnë ambicien personale me interesin publik.
Në këtë kuptim, ky koalicion opozitar sot nuk është një luks politik, as një marrëveshje e përkohshme për të ndarë poste dhe për të administruar interesa partiake. Ai është një domosdoshmëri strategjike dhe një përgjegjësi e madhe historike. Natyrisht, krijimi i tij nuk është një proces i lehtë. Çdo parti ka identitetin, programin, drejtuesit, elektoratin, ambiciet dhe emocionet e veta. Ka dallime, mosbesime të trashëguara, hatërmbetje dhe përvoja që nuk mund të fshihen me një deklaratë të vetme. Por pikërisht këtu fillon prova e pjekurisë politike: në aftësinë për të dalluar atë që mund të negociohet nga ajo që nuk duhet sakrifikuar.
Një koalicion nuk kërkon që partitë të pushojnë së qeni vetvetja. Përkundrazi, kërkon që secila të ruajë identitetin e saj, por të kuptojë se ekziston një interes më i madh që i bashkon. Nuk kërkohet shkrirja e dallimeve, por bashkimi i forcave rreth një qëllimi demokratik të përbashkët.
Ky është një test i rëndësishëm udhëheqjeje. Një koalicion i suksesshëm nuk mund të ndërtohet mbi logjikën se njëra palë duhet të fitojë gjithçka dhe të tjerat të kënaqen me mbetjet e marrëveshjes. Ai duhet të mbështetet mbi respektin reciprok, mbi një platformë të përbashkët, mbi garanci politike dhe mbi një ndarje të përgjegjësive që të mos lërë askënd jashtë procesit. Nëse koalicioni do të jetë vetëm një fotografi e përbashkët e drejtuesve, ai do të jetë i pamjaftueshëm. Por nëse shndërrohet në një marrëveshje të vërtetë politike, me objektiva të qarta dhe me një vizion për të ardhmen e vendit, atëherë mund të bëhet instrumenti më i rëndësishëm i ndryshimit.
Sepse përballë Shqipërisë nuk qëndron vetëm çështja e ndërrimit të një qeverie. Qëndron nevoja për të ndërprerë një rrjedhë të rrezikshme të degradimit institucional, të largimit të njerëzve, të normalizimit të korrupsionit dhe të shkatërrimit të besimit te shteti. Çdo vit që kalon pa një perspektivë bindëse ndryshimi shton numrin e atyre që e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. Çdo institucion që humbet pavarësinë e vet e bën më të vështirë rikthimin e besimit publik. Çdo rast korrupsioni që nuk merr përgjigjen e duhur ligjore ushqen bindjen se pushteti është bërë një strehë më e sigurt për të fortët sesa shteti për qytetarët.
Në këtë kuptim, ky koalicion duhet të jetë diga politike dhe demokratike përballë kësaj rrjedhe. Një digë që nuk ndërtohet për të mbrojtur interesat e disa drejtuesve, por për të ndalur zbrazjen e vendit, për të rikthyer përgjegjësinë institucionale dhe për t'i dhënë shoqërisë shqiptare një arsye të re për të besuar se ndryshimi është plotësisht i mundur.
Ka diçka thellësisht shekspiriane në këtë moment. Në skenën politike shqiptare, ku për vite me radhë pushteti ka luajtur rolin e padiskutueshëm të protagonistit, ndërsa opozita shpesh është përfshirë në dramat e veta të brendshme, duket se po afrohet çasti kur aktorëve u kërkohet të kuptojnë se drama nuk është më vetëm e tyre. Është drama e një shoqërie të tërë. Dhe në një dramë të tillë, ambicia që nuk di të kufizojë vetveten shndërrohet në një tragjedi jo vetëm për atë që e ushtron, por edhe për ata që përfaqëson.
Asnjë parti opozitare nuk duhet ta lexojë mundësinë e koalicionit si një kërcënim ndaj madhësisë së saj. Përkundrazi, ajo duhet ta shohë si mundësinë për të marrë pjesë në një projekt më të madh se vetja. Emocionet e konkurrencës, xhelozitë politike dhe hatërmbetjet e vjetra duhen lënë në plan të dytë. Ato mund të kenë rëndësinë e tyre në kohë normale, por bëhen të papërgjegjshme kur vendi ndodhet përballë një krize të thellë të besimit dhe të përfaqësimit.
Edhe votuesi që do të dalë në votime me siguri do të jetë pjesë e këtij procesi vlerësimi. Ne që do të shkojmë te kutitë e votimit nuk do të shohim vetëm emrat, logot apo historitë e partive. Do të shohim se kush e ka kuptuar seriozisht nevojën e bashkimit, kush ka treguar gatishmëri për kompromis, kush ka vendosur interesin e ndryshimit mbi interesin e vet dhe kush ka tentuar ta përdorë koalicionin vetëm si një instrument për të shtuar peshën e tij politike. Kjo predispozitë pozitive, ky sinqeritet dhe kjo përgjegjësi do të jenë pjesë e vlerësimit tonë dhe do të marrin përgjigjen e tyre në votën tonë.
Nuk mjaftojnë deklaratat për bashkim. Duhet vullnet për ta ndërtuar atë. Nuk mjafton të thuhet vetëm se duam të fitojmë zgjedhjet. Duhet të provohet se jemi të aftë të qeverisim ndryshe dhe të rikthejmë shtetin te qytetari. Një koalicion që nuk i përgjigjet kësaj pritshmërie do të ishte vetëm një marrëveshje elektorale, ndërsa Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje politike dhe morale me të ardhmen e saj.
Sondazhi, pra, duhet të shërbejë si një kambanë që bie për të gjithë. Ai nuk është fitore e parakohshme dhe as një mandat i dhënë përpara votimit. Është një mundësi që duhet fituar me punë, me seriozitet dhe me përgjegjësi. Një epërsi e matur në sondazh mund të shndërrohet në fitore vetëm nëse forcat politike dinë ta kthejnë atë në besim të përbashkët, në organizim dhe në një alternativë bindëse.
Kjo është arsyeja pse sot nuk është koha për të numëruar se kush do të marrë më shumë, por për të kuptuar se çfarë mund të humbasë Shqipëria nëse ky moment shpërdorohet. Koha nuk do t'i presë pafundësisht partitë opozitare derisa ato të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre. Historia nuk i fal lehtë mundësitë e humbura, sidomos kur ato vijnë në një çast kur shoqëria është e gatshme të kërkojë një rrugë tjetër.
Mundësia historike e këtij koalicioni qëndron pikërisht këtu: në shndërrimin e një pakënaqësie të gjerë shoqërore në një alternativë të bashkuar demokratike. Nëse opozita do të ketë kurajën ta ndërtojë këtë alternativë, atëherë do të hapet një kapitull i ri për Shqipërinë. Nëse do të mbetet peng i rivaliteteve, ambicieve dhe llogarive të vogla, atëherë përgjegjësia për një mundësi të humbur nuk do të mund t'i faturohet vetëm pushtetit.
Sepse këtë herë nuk është vetëm opozita që duhet të vendosë nëse do të bashkohet. Është vetë koha që po i kërkon asaj të dëshmojë nëse është e denjë për të marrë përgjegjësinë e ndryshimit.
© SYRI.net