Shtyhet në Gjykatën e Posaçme seanca për shqyrtimin e kërkesës së ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili kërkon shpalljen e parashkrimit të dënimit me dy vite burg për fshehje pasurie.
Seanca e radhës është caktuar më 16 nëntor, në orën 08:30. Sipas burimeve, gjatë seancës së sotme, prokurorja e Posaçme Enkelejda Millonai, pasi dëgjoi parashtrimet, kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e referuara në proces. Për këtë arsye, gjykata vendosi shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës.
Llalla kërkon që dënimi i dhënë ndaj tij në vitin 2021, me vendim të formës së prerë, të konsiderohet i parashkruar. Ai argumenton se kanë kaluar afro pesë vite nga vendimi, pa vuajtur dënimin prej dy vitesh burgim.
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij. Llalla vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Gjatë hetimeve ndaj tij, Llalla u largua drejt Italisë, ku u arrestua dhe më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa iu dorëzuar autoriteteve shqiptare. Ndërkohë, procesi penal ndaj tij vijoi në Shqipëri.a.b



