E enjte, 5 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Studentët dhe shoqëria civile çojnë qeverinë në Kushtetuese
Lajme

Studentët dhe shoqëria civile çojnë qeverinë në Kushtetuese

Kundërshtojnë tre akte që kufizojnë protestat

Studentët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë ndërmarrë një hap ligjor kundër paketës së re të masave të miratuara nga qeveria, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me tre ankime për të kundërshtuar dispozitat që, sipas tyre, cenojnë lirinë e protestës dhe të shprehjes.

Grupimet studentore “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile, do të depozitojnë sot, më 5 nëntor, në orën 14:00, kërkesat për kontrollin kushtetues të akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026.

Në këtë nismë janë përfshirë Qendra Res Publica, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.

Në qendër të kundërshtimit janë tri akte, për të cilat ankuesit argumentojnë se i japin institucioneve shtetërore kompetenca të gjera për të ndërhyrë në ushtrimin e të drejtave qytetare dhe mund të krijojnë pengesa për organizimin e protestave.

Tre aktet që kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese janë:

– Akti normativ nr. 5/2026: Kundërshtohet për kompetencat që i njeh policisë për të ndaluar ose kufizuar protestat pranë institucioneve, për të larguar qytetarët nga zonat e mbrojtura, për të kërkuar fshirjen e përmbajtjeve të publikuara në rrjetet sociale, si dhe për të vendosur gjoba që mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë.

– Akti normativ nr. 6/2026: Sipas ankuesve, ky akt vendos përgjegjësi solidare për organizatorët e protestave edhe për dëmet që mund të shkaktohen nga persona të tjerë. Kundërshtimi lidhet gjithashtu me parashikimin e sanksioneve për veprime të kryera përpara hyrjes në fuqi të tyre.

– VKM-ja nr. 815/2026: Organizatat dhe grupimet studentore kundërshtojnë krijimin e një regjistri policor, i cili, sipas tyre, mund të sjellë kufizime për udhëtimet jashtë vendit pa një vendim gjyqësor. Shqetësim përbën edhe mundësia e njoftimit të shteteve të tjera dhe strukturave hoteliere për personat që përfshihen në këtë regjistër.

Përfaqësuesit e studentëve dhe organizatave të shoqërisë civile vlerësojnë se këto dispozita shkojnë përtej qëllimit të deklaruar të qeverisë dhe rrezikojnë të krijojnë një klimë presioni ndaj qytetarëve që zgjedhin të kundërshtojnë publikisht vendimmarrjen politike.

Ata kundërshtojnë edhe argumentin e qeverisë se paketa e re synon garantimin e protestave paqësore dhe se përgjegjësia për shkeljet mbetet individuale. Sipas ankuesve, formulimet e akteve mund të çojnë në ndëshkimin e organizatorëve apo pjesëmarrësve edhe në raste kur ata nuk kanë kryer akte dhune.

Përmes tre ankimeve, kërkohet që Gjykata Kushtetuese t’i marrë çështjet në shqyrtim me përparësi dhe të vendosë pezullimin e dispozitave të kundërshtuara deri në shpalljen e një vendimi përfundimtar.

Një tjetër element i rëndësishëm i kërkesës lidhet me vijimësinë e kontrollit kushtetues. Studentët dhe organizatat kanë parashikuar që ankimet të mos humbasin objektin edhe në rast se Kuvendi vendos t’i miratojë aktet normative si ligje. Për këtë arsye, ata i kanë kërkuar Gjykatës që shqyrtimi të përfshijë edhe ligjet përkatëse të miratimit.

Në reagimin publik, grupimet studentore e kanë cilësuar këtë nismë si një përpjekje për të mbrojtur hapësirën demokratike dhe të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar pushtetin pa frikën e ndëshkimit.

Sipas tyre, shqetësimi nuk lidhet vetëm me pasojat e mundshme për protestat e zhvilluara aktualisht, por edhe me precedentët që mund të krijohen për brezat e ardhshëm.

“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë”, thuhet në reagimin e tyre.

Me depozitimin e këtyre ankimeve, përplasja mes studentëve dhe qeverisë për paketën e re të masave kalon tashmë edhe në planin kushtetues, ku pritet të vlerësohet nëse dispozitat e kundërshtuara janë në përputhje me garancitë që Kushtetuta u njeh qytetarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.