Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar Astrit Deharin në 10-vjetorin e vdekjes së tij, duke vizituar familjen Dehari dhe duke bërë homazhe te varri i tij.
Haxhiu ka kujtuar Deharin si aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje dhe student shembullor të mjekësisë, duke vlerësuar përkushtimin e tij ndaj njerëzve në nevojë.
“Sot, në dhjetëvjetorin e asaj dite, vizituam familjen Dehari dhe më pas, bashkë me ta dhe me shokë e shoqe aktivistë, bëmë homazhe dhe vendosëm lule te varri i tij. Astriti ishte aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe student shembullor i mjekësisë. Një i ri guximtar dhe idealist, me përkushtim të sinqertë politik, që angazhimin e tij e shihte si mënyrë për t’u qëndruar pranë njerëzve, sidomos të varfërve, punëtorëve dhe atyre që shteti i kishte lënë në harresë. Sot do të ishte mjek dhe jam e bindur se do të ishte po aq pranë tyre sa ishte edhe atëherë”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se dhjetë vjet pas vdekjes së tij në burgun e Prizrenit, familja, miqtë dhe qytetarët ende presin drejtësi.
“Dhjetë vjet më vonë, bashkë me familjen e tij, me gjithë shoqërinë dhe qytetarët e Republikës, ende presim drejtësi për vrasjen e tij në burgun e Prizrenit. Ne që e njohëm e kujtojmë ashtu siç ishte, me buzëqeshjen, guximin dhe idealet e tij. Drejtësinë për të do ta kërkojmë deri në fund”, ka shkruar Haxhiu.