Tre persona janë arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe transportimin e 8 emigrantëve nga vendet e treta drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Në pranga kanë rënë Apostol Beka, 43 vjeç, Ardi Ceka, 38 vjeç dhe Alban Latifi, 45 vjeç. Ndërkohë, në kërkim është shpallur Afrim Islami, 29 vjeç, i cili akuzohet për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në rastin e parë, Beka dhe Ceka u kapën duke transportuar 4 emigrantë, ndërsa Latifi kontrollonte rrugën me një automjet tjetër për të sinjalizuar bashkëpunëtorët në rast të pranisë së Policisë.
Në rastin e dytë, Afrim Islami nuk iu bind urdhrit të uniformave blu për të ndaluar automjetin në aksin Tepelenë-Memaliaj, vijoi lëvizjen me shpejtësi dhe më pas braktisi makinën në kthesën e Memaliajt. Ai arriti të largohej, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë këtyre rasteve janë sekuestruar 3 automjete dhe 5 celularë.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Zhvillohen në 24 orë, 2 operacione kundër transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht, në shtete të BE-së.
Operacionet, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe me Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Arrestohen 3 shtetas dhe punohet për kapjen e një tjetri.
Sekuestrohen 3 automjete dhe 5 celularët e të arrestuarve.
-Gjatë operacionit të koduar “Zona 01”, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., 43 vjeç, banues në Durrës, A. C., 38 vjeç, banues në Tiranë dhe A. L., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi 43-vjeçari dhe 38-vjeçari u kapën në afërsi të fshatit Shtëpëz, duke transportuar 4 emigrantë nga Vendet e Treta, ndërsa shtetasi A. L. kontrollonte rrugën, me automjet tjetër, për të sinjalizuar bashkëpunëtorët e tij, për prezencën e Policisë.
-Gjatë operacionit të koduar “Zona 02”, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. I., 29 vjeç, banues në fshatin Cakran, Fier. 29-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, automjetin me të cilin transportonte 4 emigrantë nga Vendet e Treta, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe ka braktisur automjetin te kthesa e Memaliajt. Punohet intensivisht për kapjen e 29-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento