“Synojnë të na heqin të drejtën për të protestuar dhe kundërshtuar padrejtësinë”, studentët çojnë në Kushtetuese tre aktet normative të qeverisë Në GJKKO vijon seanca për ish-çiftin Meta-Kryemadhi, ku të dy janë të pranishëm në sallë.
Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, në nisje të seancës Meta paraqiti tre kërkesa, që të dilte nga kafazi i xhamtë dhe të ulej krah avokatit, të lejoheshin kamerat të transmetonin procesin gjyqësor dhe kërkesa e tretë, të verifikoheshin pajisjet e përgjimit në ambientet e paraburgimit gjatë kohës që takohet me avokatin mbrojtës Bujar Musta.
Prokurori Arben Kraja tha se nuk është dakord me lejimin e kamerave, pasojat e përgjimit në paraburgim që pretendon janë jashtë kompetencave të SPAK dhe sa i takon kërkesës për daljen nga kafazi, ia la në dorë gjykatës.
Pasi u tërhoq për vendim, gjykata vendosi rrëzimin e dy kërkesave, ndërsa sa i takon pretendimeve për komunikimet e Metës me avokatin, gjyqtari Erion Bani tha se do ia përcjellë Drejtorisë së Burgjeve.
Ndërkohë Monika Kryemadhi po paraqet para gjykatës parashtrimet për interkonjuksionin, një nga episodet e akuzës për korrupsion. Monika deklaroi se mesazhet janë nxjerrë nga konteksti nga SPAK dhe Adrian Shatku është kushëriri i saj.
“90% e mesazheve janë nxjerrë nga konteksti. Asnjë nga mesazhet që po lexoj deri në faqen 70 nuk provon korrupsionin. Nuk ka prova që kam ushtruar ndikim të paligjshëm”- deklaroi ndër të tjera Kryemadhi e cila kishte printuar mesazhet.
Në një mesazh të dërguar nga Shatku thuhej “Meta is right”, ndërsa Kryemadhi tha me batutë “Meta is always right”, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Në GJKKO po zhvillohet këtë të enjte seanca e themelit, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Kryemadhit dhe Metës.
Top Channel