Janë publikuar fytyrat e katër burrave që akuzohen për abuzim dhe sulme seksuale ndaj Joanne Young, 49 vjeçe, e cila dyshohet se drogohej në mënyrë të përsëritur nga bashkëshorti i saj pa dijeninë dhe pa pëlqimin e saj.
Të pandehurit janë Richard Wilkins, 62 vjeç, taksist; Norman Macksoni, 48 vjeç, këngëtar dhe biznesmen; Mohammed Hassan, 38 vjeç, punonjës i Amazon; si dhe Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç, punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes në Britani. Ata po përballen me gjyqin në Gjykatën e Kurorës në Winchester për një seri veprash seksuale të dyshuara ndaj Joanne Young, në banesën e saj në Swindon, gjatë viteve 2016–2023.
Të lidhura
None found
Gruaja vendosi në dhjetor të hiqte dorë nga e drejta për anonimat, duke lejuar publikimin e identitetit të saj dhe të hollësive të çështjes. Prokuroria thotë se katër burrat ishin kontaktuar në internet nga ish-bashkëshorti i saj, Philip Young, 50 vjeç, i cili dyshohet se e drogjoi atë për ta lënë pa ndjenja ose për t’i fshirë kujtesën për ngjarjet.
Prokurorja Sarah Jones KC u tha gjykatësve se Joanne Young lidhej dhe i mbuloheshin sytë, ndërsa burra që nuk i njihte kryenin abuzime seksuale ndaj saj. Në disa prej këtyre rasteve, bashkëshorti i saj dyshohet se ndodhej aty dhe i regjistronte pamjet.
Sipas prokurorisë, Philip Young kërkonte në internet burra të moshave dhe kombësive të ndryshme, veçanërisht persona që jetonin pranë Swindonit, me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale me gruan e tij.
Ai kishte vendosur rreth 20 njoftime në platformën Craigslist, përmes të cilave u bënte thirrje burrave të interesuar të kryenin marrëdhënie me bashkëshorten e tij, duke e paraqitur situatën si një fantazi seksuale të përbashkët.

Por prokuroria theksoi se Joanne Young nuk kishte dhënë asnjëherë pëlqimin për marrëdhënie seksuale me persona të tjerë. Ajo e kishte cilësuar veten si monogame dhe kishte kundërshtuar qartë kërkesat e bashkëshortit për përfshirjen e njerëzve të tretë në jetën e tyre seksuale.

Çështja u zbulua në vitin 2023, kur policia u njoftua se Philip Young kishte publikuar në internet materiale pornografike ekstreme. Kontrolli i pajisjeve të tij elektronike çoi në gjetjen e afro 500 fotografive të gruas së tij të zhveshur.

Philip Young e ka pranuar fajësinë për 56 vepra penale ndaj ish-bashkëshortes, mes tyre përdhunim, sulm seksual, penetrim seksual pa pëlqim, dhënie substancash me qëllim kryerjen e veprave penale dhe filmim të fshehtë. Ai ka pranuar gjithashtu akuza për krijimin dhe posedimin e materialeve të paligjshme që përfshijnë fëmijë.

Dean Hamilton, 47 vjeç, nga Street, Somerset, ka pranuar ndërkohë fajësinë për një akuzë të penetrimit seksual pa pëlqim, dy akuza për sulm seksual dhe një akuzë për përdhunim.

Hamilton dhe Philip Young do të dënohen pasi të përfundojë procesi gjyqësor. Katër të pandehurit e tjerë nuk i pranojnë akuzat, të cilat variojnë nga prekja seksuale deri te përdhunimi.









