Ronaldinho si Jordan dhe Schumacher…; legjendat e sportit që nuk pranuan të tërhiqeshin përfundimisht

5 Nëntor 2026
11:58
Alfred Lleshi
back button

Më 15 nëntor, Ronaldinho do të rikthehet në fushë me fanellën e Ravenna, në derbin kundër Forli. Braziliani nuk është i pari kampion që ka vendosur të rifillojë një karrierë që dukej e përfunduar.

Michael Jordan u tërhoq në vitin 1993, pas tre titujve radhazi në NBA, por u rikthye në vitin 1995 te Chicago Bulls, duke fituar edhe tre tituj të tjerë radhazi (1996-1998). Në vitin 2001 u rikthye sërish, këtë herë te Washington Wizards, duke luajtur deri më 2003.

Michael Schumacher, shtatë herë kampion bote në Formula 1, u tërhoq në vitin 2006, por në vitin 2010 u rikthye me “Mercedes”, duke garuar deri në fund të sezonit 2012.

Magic Johnson u largua nga basketbolli në vitin 1991, pasi njoftoi se ishte prekur nga HIV-i. U rikthye më 1992, fitoi medaljen e artë olimpike me SHBA-në dhe luajti sërish në NBA me Lakers në vitin 1996. Më pas provoi edhe aventura në Suedi dhe Danimarkë.

George Foreman u tërhoq në vitin 1977, por u rikthye dhjetë vjet më vonë. Në vitin 1994, në moshën 45-vjeçare, mposhti Michael Moorer dhe rifitoi titullin botëror në peshat e rënda.

Michael Phelps, pas tërheqjes në vitin 2012, u rikthye në garime më 2014. Në Lojërat Olimpike të Rios, më 2016, fitoi pesë medalje ari dhe një argjendi.

Në tenis, Kim Clijsters u tërhoq më 2007, por u rikthye dy vjet më vonë, duke fituar sërish “US Open” më 2009 dhe 2010, si dhe “Australian Open” më 2011. Martina Navratilova, pas tërheqjes më 1994, u rikthye në vitin 2000. Në vitin 2006, pothuajse 50 vjeçe, fitoi “US Open” në dyshe të përzier.

Jo të gjithë patën të njëjtin sukses. Björn Borg u tërhoq më 1983, në moshën 26-vjeçare, por rikthimi në vitin 1991 rezultoi zhgënjyes dhe më 1993 e braktisi përfundimisht tenisin profesionist.

Edhe Muhammad Ali u rikthye pas tërheqjes më 1979. Humbja ndaj Larry Holmes në vitin 1980 dhe ndeshja e fundit kundër Trevor Berbick më 1981 shënuan fundin e karrierës së tij në ring.

Tani radha i vjen Ronaldinhos, i cili më 15 nëntor do të zbresë sërish në fushë me Ravenna, kundër Forli. Një rikthim më shumë simbolik, por që do t’u japë tifozëve mundësinë të shohin përsëri një prej futbollistëve më të dashur të të gjitha kohërave.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit