Një valë e re kërcënimesh për bomba ka vënë në alarm aeroportet dhe autoritetet e sigurisë në disa vende të Evropës, duke shkaktuar devijimin e avionëve, ulje të detyruara dhe evakuimin e qindra pasagjerëve. Për të dytën herë brenda pak ditësh, më shumë se 10 fluturime janë raportuar të prekura nga këto kërcënime, ndërsa shërbimet e sigurisë kanë nisur kontrolle të imtësishme për të përjashtuar praninë e mjeteve shpërthyese.
Sipas raportimeve të BBC-së, incidentet janë regjistruar në disa shtete evropiane, përfshirë Francën, Italinë, Bullgarinë, Çekinë, Rumaninë, Poloninë dhe Austrinë. Disa avionë janë detyruar të ndryshojnë itinerarin, ndërsa të tjerë janë shoqëruar nga avionë ushtarakë ose janë kontrolluar menjëherë pas uljes.
Një nga rastet më të fundit është ai i një avioni të kompanisë irlandeze Aer Lingus, i cili po fluturonte nga Dublini drejt Romës. Pas marrjes së një kërcënimi për bombë dhe shpalljes së emergjencës gjatë fluturimit, avioni Airbus A320 u devijua drejt bazës ajrore të Évreux, në veri të Francës.
Në bord ndodheshin 151 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë zbritën në siguri, ndërsa ekipet e specializuara për çaktivizimin e eksplozivëve nisën kontrollin e avionit. Kompania Aer Lingus konfirmoi se avioni u ul pa probleme dhe se do të organizonte transportimin e pasagjerëve drejt destinacionit përfundimtar.
Alarm edhe në Pragë, kërcënime për katër avionë
Një tjetër situatë alarmante është regjistruar në Republikën Çeke, ku policia njoftoi se kishte marrë kërcënime për vendosjen e një pajisjeje shpërthyese të improvizuar në katër avionë që po udhëtonin drejt Pragës.
Autoritetet çeke deklaruan se e vlerësonin besueshmërinë e kërcënimeve si të ulët, por theksuan se nuk do ta neglizhonin situatën. Për këtë arsye, pas uljes së avionëve do të kryheshin kontrolle të specializuara piroteknike për të verifikuar nëse në bord kishte mjete shpërthyese.
Evakuohen rreth 200 pasagjerë në Bukuresht
Një tjetër incident është regjistruar në Rumani, ku rreth 200 pasagjerë u evakuuan nga një avion i kompanisë Wizz Air, i cili po fluturonte nga Milano drejt Bukureshtit.
Avioni, me numër fluturimi WMT3064, u ul në aeroportin ndërkombëtar Henri Coandă në orën 11:08 sipas orës lokale. Pasagjerët u nxorën nga avioni dhe autoritetet aktivizuan procedurat e emergjencës.
Në kontrollin e avionit u angazhuan edhe specialistë të Shërbimit Rumun të Inteligjencës (SRI), të cilët nisën verifikimet për praninë e mundshme të eksplozivëve.
Avionë të devijuar në Bullgari dhe Austri
Kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe ndaj disa fluturimeve të tjera.
Në Bullgari, tre avionë u detyruan të kryenin ulje emergjente pas sinjalizimeve për bomba. Dy prej tyre, që vinin nga Kopenhaga dhe Madridi, u ulën në Sofje, ndërsa një fluturim nga Londra u devijua drejt Plovdivit.
Një avion i kompanisë Wizz Air, që fluturonte nga Milano drejt Varshavës, u devijua drejt Vjenës pas marrjes së një kërcënimi gjatë fluturimit. Edhe një avion i kompanisë LOT, në linjën Varshavë-Bruksel, u përball me kontrolle sigurie pas marrjes së një alarmi.
Ndërkohë, një fluturim i Finnair nga Helsinki drejt Romës u shoqërua nga avionë ushtarakë dhe u ul sipas orarit të parashikuar.
Kërcënimet e dyta masive brenda pak ditësh
Kjo valë alarmesh vjen vetëm dy ditë pas një serie tjetër kërcënimesh që prekën të paktën shtatë fluturime në Evropë.
Të martën, avionë të kompanive Ryanair, Wizz Air, Scandinavian Airlines dhe LOT u përballën me kërcënime për bomba. Në disa raste, avionët u devijuan, aeroportet aktivizuan protokollet e emergjencës dhe në Itali avionë luftarakë shoqëruan një fluturim të Ryanair drejt Romës.
Kontrollet e kryera pas uljes së avionëve nuk zbuluan mjete shpërthyese. Edhe në rastet e raportuara këtë të enjte, autoritetet kanë ndërmarrë masa parandaluese dhe kontrolle të specializuara.
Deri më tani, nuk ka një përgjegjës të identifikuar për këtë valë kërcënimesh dhe autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse incidentet në vende të ndryshme kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Sipas ekspertëve të sigurisë, shtimi i këtyre alarmeve vjen në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike në Evropë, ku janë raportuar edhe incidente të tjera, përfshirë sulme kibernetike dhe shkelje të hapësirës ajrore nga dronë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që t'i lidhin këto zhvillime me kërcënimet ndaj avionëve.
© SYRI.net