Messi mbetet në krye të shitjeve të fanellave në MLS, për të katërtin sezon radhazi

Dominimi i Lionel Messit në Major League Soccer nuk kufizohet vetëm te paraqitjet në fushë, pasi kapiteni i Inter Miami vazhdon të jetë emri më i kërkuar edhe në tregun e fanellave.

MLS bëri të ditur se argjentinasi kryeson sërish listën e fanellave më të shitura në 30 klubet e ligës. Ky është viti i katërt radhazi që Messi renditet në vendin e parë të kësaj liste me jehonë ndërkombëtare.

Të lidhura

None found

Liga nuk publikoi numrin e përgjithshëm të uniformave Adidas me numrin 10, të veshura nga lojtari i lindur në Rosario, por zbuloi renditjen bazuar te të ardhurat e krijuara nga shitjet zyrtare.

Pas Messit u pozicionuan dy futbollistë të njohur që iu bashkuan MLS-së pas eksperiencave në futbollin evropian. Son Heung-min i LAFC zuri vendin e dytë, ndërsa Thomas Muller i Vancouver Whitecaps FC u rendit i treti.

Edhe emrat e njohur nga La Liga patën një prezencë të fortë në pjesën e sipërme të klasifikimit. Robert Lewandowski, pas transferimit te Chicago Fire, u rendit i katërti, ndërsa Antoine Griezmann, përforcimi i ri i Orlando City SC, u ngjit në vendin e pestë.

Dhjetëshen e parë e plotësuan amerikani i ri Cavan Sullivan në vendin e gjashtë, Denis Bouanga në të shtatin, Luis Suarez në të tetin, Hany Mukhtar në të nëntin dhe Rodrigo de Paul në vendin e dhjetë. Kështu, Inter Miami përfaqësohet nga tre futbollistë në 10 fanellat më të shitura.