Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Rremull të Burrelit, ku një 89-vjeçar ka mbetur me djegie të rënda në trup, pasi dyshohet se vajza e tij 43-vjeçare e ka lyer me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën.

I moshuari Adem Mara, ndodhet aktualisht në spitalin e Tiranës, ku po merr trajtim mjekësor për shkak të plagëve të rënda të shkaktuara nga djegiet.

Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, ndërsa rasti është bërë i ditur në polici nga fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë për t'i dhënë ndihmën e parë 89-vjeçarit.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar vajzën e tij 43-vjeçaren Majlinda Mara, ndaj së cilës është ngritur akuza e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.

Deri më tani, motivet që kanë çuar në këtë ngjarje nuk janë bërë ende të ditura. Ndërkohë, hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Dibrës, ndërsa pritet që e dyshuara të dalë përpara gjykatës, ku prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Njoftimi i policisë:

Mat

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat arrestuan në flagrancë shtetasen M. M., 42 vjeçe, banuese në Mat, pasi dyshohet se ka tentuar të djegë me lëndë djegëse (benzinë), në banesë, babanë e saj, shtetasin A. M., 89 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Universitar të Traumës, Tiranë, për mjekim më të specializuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë