Rama injoron akuzat e Veliajt: Janë si zhurmat e makinave në bulevard
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mos u japë rëndësi akuzave të bëra nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke i cilësuar ato si zhurma kalimtare që nuk meritojnë vëmendjen e tij.
I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat dhe akuzat e Veliajt, Rama shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke e zhvendosur vëmendjen te vlerësimi i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe ecuria e procesit të integrimit.
Gjatë konferencës për shtyp, ku u prezantua Progres-raporti i Komisionit Europian, kreu i qeverisë e përshkroi dokumentin si një pasqyrë të punës së kabinetit që drejton, duke u shprehur i kënaqur me vlerësimin e marrë nga Brukseli.
Sipas Ramës, Shqipëria ka shënuar përparim të madh, por ky progres, sipas tij, nuk pasqyrohet siç duhet në ekranet televizive dhe në mediat që ai i cilësoi si kanale të dezinformimit publik.
“Dua të them që raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon. Sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik”, deklaroi Rama.
Më tej, kryeministri theksoi se qeveria do të vijojë punën me objektivin e integrimit europian, duke e cilësuar këtë proces si një mundësi historike që Shqipëria nuk duhet ta humbasë.
Por pjesa më domethënëse e përgjigjes së tij erdhi kur u pyet për akuzat e Erion Veliajt. Pa hyrë në përmbajtjen e tyre dhe pa dhënë një përgjigje konkrete, Rama përdori një krahasim ironik për t’i zhvlerësuar publikisht.
“Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kështu, Rama zgjodhi t’i kalojë në heshtje akuzat e kryebashkiakut të Tiranës, duke mos komentuar përmbajtjen e tyre dhe duke i konsideruar si të parëndësishme për të.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



