Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti sot në takim ministrin e Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, i cili mban edhe detyrën e kryesuesit të radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Cassis po zhvillon një vizitë zyrtare në tri shtete të Ballkanit Perëndimor — Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut — nga 4 deri më 6 nëntor. Autoritetet zvicerane bëjnë të ditur se synimet e udhëtimit janë forcimi i lidhjeve dypalëshe, përkrahja e integrimit evropian dhe nxitja e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit në Kosovë, pritet të trajtohen marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Bernës, bashkëpunimi në ekonomi, integrimi evropian dhe zhvillimet politike e të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në agjendë është edhe marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, ku përfshihet Zvicra, e cila ka hyrë së fundmi në fuqi. Ajo synon të hapë mundësi të reja për tregti dhe bashkëpunim ekonomik mes palëve.
Një tjetër temë e pritshme është mbështetja zvicerane për dialogun Kosovë-Serbi dhe nevoja që të vijojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë vizitës, ministri do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca. Me këtë të fundit do të mbajë një konferencë të përbashkët për media.
Në rolin e kryesuesit të radhës të OSBE-së, Cassis do të shkojë edhe në misionin e organizatës në Kosovë, ku do të njihet me punën, veprimtarinë dhe sfidat e misionit në terren.
Programi përfshin gjithashtu vizitën në KFOR, misionin paqeruajtës të NATO-s. Zvicra kontribuon në të që nga viti 1999 me kontingjentin SWISSCOY; pjesëmarrja e saj është pjesë e angazhimit të Bernës për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cassis do të përurojë ambientet e reja të Ambasadës së Zvicrës, si pjesë e angazhimit për të thelluar marrëdhëniet mes dy shteteve.
Sipas autoriteteve zvicerane, vizita në rajon do të vërë në pah rëndësinë e dialogut, trajtimit të së kaluarës dhe mbrojtjes së të gjitha komuniteteve. Zvicra është e angazhuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor që prej viteve 1990. Lidhjet me vendet e rajonit vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të diasporës së madhe ballkanike që jeton në Zvicër.
Pas Kosovës, Cassis do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut. Më 6 nëntor, ai pritet të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian dhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.





