Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar rezultatet e Kosovës të pasqyruara në Raportin e Progresit të këtij viti, duke e cilësuar atë si më të dobëtin që nga fillimi i publikimit të raporteve të tilla.
Lushaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka deklaruar se raporti evidenton dështime të përsëritura në shumë fusha, ndërsa ka theksuar se Kosova ka shënuar vetëm progres të kufizuar në procesin e integrimit evropian.
Sipas Lushaku-Sadriut, pavarësisht krizave politike me të cilat është përballur vendi, Qeveria ka qenë në detyrë dhe ka pasur mundësi të realizojë reformat e nevojshme dhe të përmbushë kushtet për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“Ky raport ishte ndoshta më i dobëti në histori për nga rezultatet, prej kur ka nisur publikimi i tij. Ishte përsëritje e dështimeve që shteti ynë i ka bërë në çdo fushë. Shumë dështime dhe fjalia e duhur është ‘progres i limituar’, siç thotë raporti”, ka deklaruar ajo.
Lushaku-Sadriu ka ngritur shqetësime edhe për çështjet që, sipas saj, prekin bazën kushtetuese dhe funksionalitetin e shtetit, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe bartësit e pushtetit.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia për gjendjen në vend është e përbashkët, por barra kryesore bie mbi ata që aktualisht janë në pushtet.