Kryesore

A e keni kërcënuar Erion Veliajn përmes Toni Gogut? Rama refuzon të përgjigjet: Zhurmë dhe gjëra të parëndësishme

12:41 - 05.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar progres-raportin e Komisionit Europian si një pasqyrë të punës së qeverisë, duke deklaruar se Shqipëria ka shënuar përparim të madh në rrugën drejt Bashkimit Europian. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Rama u shpreh se raporti tregon qartë punën e institucioneve, por pretendoi se qytetarët nuk arrijnë ta shohin këtë progres për shkak të asaj që ai i cilësoi si kanale dezinformimi.

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka qenë një nga temat për të cilat kreu i qeverisë është pyetur gjatë konferencës për shtyp pas dorëzimit të progres-raportit të Komisionit Europian. Por Rama ka zgjedhur të mos japë një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke e cilësuar konfliktin si një çështje pa rëndësi për të.

“Janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë dhe vijnë në Bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”, u shpreh Rama, duke shmangur komentet për përplasjen me Veliajn dhe akuzat e këtij të fundit nga burgu.

Deklarata e kryeministrit vjen kur raporti mes dy figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste është përshkallëzuar publikisht, pas pretendimeve të Veliajt se Rama i ka përcjellë kërkesa dhe mesazhe përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Veliaj pretendoi se gjatë takimit Gogu i kishte përcjellë tri kërkesa që, sipas tij, vinin nga kryeministri: të pranonte përfshirjen në organizimin apo financimin e protestave të studentëve dhe lëvizjes “Flamingot”, të delegonte drejtimin e Bashkisë së Tiranës te Arbër Hajdari dhe të hiqte dorë nga përfaqësimi ligjor prej avokatit Plarent Ndreca.

Sipas versionit të publikuar nga Veliaj, në rast se nuk do të pranonte këto kërkesa, mund t’i rëndoheshin akuzat, përfshirë edhe atë për cenimin e rendit kushtetues. Ai pretendoi gjithashtu se i ishte përcjellë mesazhi se mund të përballej me një dënim të gjatë me burg.

Më 4 nëntor, përmes avokatit Plarent Ndreca, Veliaj bëri publike edhe disa faqe nga ditari i tij personal, ku kishte shkruar përgjigjet për kërkesat që pretendon se i ishin përcjellë nga ministri. Në shënimet e publikuara, ai mohoi kategorikisht të kishte lidhje me protestat dhe kundërshtoi mundësinë e delegimit të drejtimit të bashkisë te Arbër Hajdari.

“Ma hodhe një herë, të të vijë turp, por herën e dytë, turp të më vijë mua”, ishte një nga mesazhet e Veliajt lidhur me refuzimin për të deleguar kompetencat. Ai mbrojti gjithashtu avokatin Plarent Ndreca, duke shkruar se gjatë kësaj periudhe i ishte gjendur pranë dhe se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë prej tij.

Veliaj deklaroi se nuk do të përkulet dhe as do të shantazhohet, ndërsa mohoi akuzat për përfshirje në protestat kundër qeverisë. Përplasja u shoqërua edhe me zhvillime të tjera, pasi avokati Ndreca bëri të ditur se kryebashkiaku ishte transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit për shkak të frakturës në këmbë, ndërsa ngriti shqetësime për vonesat në kryerjen e ekzaminimeve mjekësore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.