Orkestra Simfonike e RTSH dhe sopranoja Laurence Guillod sjellin Çajkovskin dhe Mozartin në Tiranë

Kulturë | 4 orë më parë

Orkestra Simfonike e RTSH-së nis ciklin e plotë të gjashtë simfonive të Pjotr Iliç Çajkovskit, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë krijimtarisë së një prej emrave më të mëdhenj të muzikës klasike. Koncerti i radhës sjell për publikun Simfoninë nr. 1 në sol minor, Op. 13, të njohur si “Ëndrra dimërore”, nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për ne. Ndoshta është hera e parë që në Tiranë prezantohet cikli i plotë i gjashtë simfonive të Çajkovskit brenda një sezoni. Ky është një nga kulmet e repertorit tonë. Për publikun dhe për ne, muzikantët, është një mundësi e veçantë për ta interpretuar dhe ndarë muzikën e kompozitorëve të mëdhenj në tërësinë e saj, jo thjesht si një ngjarje që përfundon brenda një mbrëmjeje. Çajkovskin do ta kemi gjatë gjithë vitit, krahas kompozitorëve të tjerë dhe solistëve të ndryshëm”, deklaroi dirigjenti.

Krahas veprës së Çajkovskit, programi koncertor sjell edhe dy arie nga repertori i njohur operistik i Mozartit. E ftuara e mbrëmjes është sopranoja Laurence Guillod, artiste me origjinë zvicerane dhe italiane, e vlerësuar në skenat muzikore të Zvicrës. Për të, ky është takimi i parë me publikun shqiptar.

Guillod do të interpretojë arien “Non mi dir, bell’idol mio”, nga opera “Don Giovanni”, si dhe “Temerari… Come scoglio”, nga opera “Così fan tutte”. Dy pjesë që i përkasin repertorit më të njohur të Mozartit dhe që do të sjellin një tjetër ngjyrë artistike në këtë mbrëmje.

Koncerti do të mbahet në datën 6 nëntor, në Sallën Ferdinand Deda në RTSH.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme