Krasniqi nga Kuvendi: Ish-krerët e UÇK-së janë pengje të një drejtësie ndërkombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se ish-krerët e UÇK-së janë “pengje të një drejtësie ndërkombëtare, e cila me plot meritë vetëm padrejtësi është”.

Ai në Kuvendin e Kosovës ka theksuar se vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të shfrytëzohet nga vendet kundërshtare të pavarësisë së Kosovës për të zhvilluar ofensivë diplomatike kundër vendit.

Gjatë fjalimit të tij në shënimin e gjashtëvjetorit të arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, Krasniqi ka thënë se ekziston rreziku që këto shtete të mos flasin vetëm për dënime individuale, por ta paraqesin luftën çlirimtare të UÇK-së si të kriminalizuar.

“Imagjinoni ofensivën diplomatike që do të zhvillohet nga vendet kundërshtare të pavarësisë tonë, të cilat nuk janë të pakta. E këto vende nuk do të flasin për dënime individuale, por do të flasin për dënime dhe kriminalizimin e një lufte çlirimtare, siç është ajo e UÇK-së”, ka deklaruar ai.

Ai ka kritikuar deklarimet e gjyqtarit Smith, duke thënë se, ndonëse më 16 shtator ishte deklaruar se UÇK-ja nuk ishte në gjykim, përmbajtja e asaj që u lexua për rreth 90 minuta, sipas tij, e dëshmoi të kundërtën.

Krasniqi ka theksuar se ka pasur dëshmitarë të kategorive të ndryshme, përfshirë ndërkombëtarë, pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues politikë dhe familjarë të viktimave, kanë konfirmuar pafajësinë e të akuzuarve.

Ai ka përmendur edhe dëshmitë e ish-komandantit suprem të NATO-s, ish-zëvendëspresidentit amerikan dhe diplomatëve amerikanë, duke thënë se paraqitja e tyre në favor të të akuzuarve tregon, sipas tij, se ish-krerët e UÇK-së po përballen me pasoja politike ndërkombëtare.

Krasniqi ka thënë se institucionet e Kosovës kanë obligim të mbrojnë të vërtetën e luftës së UÇK-së, ndërsa u ka bërë thirrje partive politike që t’i lënë anash dallimet kur bëhet fjalë për luftën dhe vlerat e saj.

“Kjo ka ndodhur vetëm për një arsye, sepse ish-krerët e UÇK-së nuk janë të akuzuar në atë që kanë bërë, por janë viktima të pasojave politike ndërkombëtare. Ata sot janë pengje të një drejtësie ndërkombëtare, e cila me plot meritë vetëm padrejtësi është. Institucionet e Kosovës e kanë për obligim ta mbrojnë të vërtetën e luftës së UÇK-së, luftë falë të cilës u fitua liria dhe pavarësia e vendit tonë. Prandaj iu ftoj të gjithëve, kur është në pyetje UÇK-ja dhe vlerat e saj, t’i lëmë anash dallimet politike, sepse pas 16 shtatorit u pa shumë mirë se nëse ka mbetur një gjë që na bashkon si popull, pa dyshim se është vlera më sublime e historisë shqiptare, UÇK-ja”, ka deklaruar ai, transmeton Duakgjini.

Të fundit nga rubrika