Shqipëria planifikon zgjerimin e përdorimit të sistemeve elektronike të pagesës në rrugë, duke nisur nga segmentet me trafik më të lartë të rrjetit transevropian të transportit (TEN-T). Strategjia Sektoriale e Transportit dhe Plani i Veprimit 2030 parashikon 200 mijë euro për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe teknik të tarifimit elektronik gjatë viteve 2028–2029, ndërsa testimi i sistemit në rrugë të përzgjedhura është programuar për periudhën 2030–2032.
Masa mund të prekë në të ardhmen drejtuesit e automjeteve private dhe operatorët e transportit të mallrave e pasagjerëve, në varësi të rrugëve që do të përfshihen në skemë. Megjithatë, strategjia nuk përcakton ende segmentet konkrete ku do të aplikohet tarifimi, vlerën e pagesave apo kategoritë e automjeteve që do t’u nënshtrohen atyre.
Sipas dokumentit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë përgjegjëse për zhvillimin e politikave dhe arkitekturës ligjore e teknike të sistemit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Autoritetin Rrugor Shqiptar, DPSHTRR-në dhe AKSHI-n.
Për këtë fazë përgatitore janë planifikuar 100 mijë euro në vitin 2028 dhe 100 mijë euro të tjera në vitin 2029.
Sistemi synohet të jetë në përputhje me Direktivën evropiane Eurovignette, që rregullon tarifimin e përdorimit të infrastrukturës rrugore për kategori të caktuara automjetesh, si dhe me Shërbimin Evropian Elektronik të Tarifimit Rrugor (EETS), i cili synon ndërveprimin e sistemeve elektronike të pagesës ndërmjet vendeve.
Pilotimi në rrugët me trafik të lartë, ende pa kosto të përcaktuar
Pas përgatitjes së kuadrit ligjor dhe teknik, strategjia parashikon kalimin në fazën e testimit të tarifimit elektronik.
Sipas Planit të Veprimit, pilotimi do të realizohet në segmente të përzgjedhura të rrjetit TEN-T, me përparësi ato që kanë trafik të lartë, gjatë periudhës 2030–2032. Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni përgjegjës për këtë fazë, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndryshe nga përgatitja e sistemit, për të cilën janë parashikuar 200 mijë euro, pilotimi nuk ka ende një kosto të përcaktuar në dokument.
Strategjia vendos gjithashtu si kusht që infrastruktura dhe sistemet përkatëse të jenë plotësisht të përgatitura përpara nisjes së testimit.
Kjo do të thotë se plani nuk përcakton ende vendosjen e pagesave të reja në një rrugë konkrete, por krijimin e kushteve për aplikimin e mundshëm të tarifimit elektronik në segmente të caktuara.
Tarifimi elektronik është pjesë e një programi më të gjerë për digjitalizimin e transportit rrugor. Strategjia synon integrimin e tij, aty ku do të zbatohet, me sistemet e menaxhimit të trafikut, informacionin në kohë reale dhe platformat kombëtare të transportit.
Dokumenti parashikon zgjerimin e sistemeve inteligjente të transportit përgjatë rrjetit TEN-T, duke përfshirë kamera, sensorë dhe sisteme elektronike informacioni për drejtuesit e automjeteve. /ekofin.al






