Thursday / November 5 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% si efekt kaskadë

Share Share Icon

Nga Julian Saraçi, auditues ligjor

Ndryshimi i normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% nuk duhet parë thjesht si një rritje e barrës tatimore për pronarët.

Ai ndikon direkt në koston e kapitalit, në vendimet për shpërndarjen ose riinvestimin e fitimit dhe, në një perspektivë më të gjerë, në konkurrueshmërinë e mjedisit të biznesit në Shqipëri.

Për një fitim prej 100 lekësh, me normë të tatimit koorporativ 15%, rezultati është që barra totale tatimore rritet me 5,95 pikë përqindjeje, ndërsa tatimi mbi dividendin rritet me 87,5% nga 21.8 lekë në 27.75 lekë. Efekti nuk përfundon te ortaku/aksionari. Ai mund të transmetohet në disa nivele të aktivitetit ekonomik si ulje e kthimit neto nga kapitali, reduktim i stimujve për riinvestimin e fitimeve, kufizim i burimeve të brendshme për financimin e zgjerimit, shtyrje e investimeve dhe e planeve të punësimit, presion potencial mbi produktivitetin, pagat dhe çmimet. Këto pasoja nuk janë automatike për çdo biznes, por përfaqësojnë reagime të mundshme ndaj ndryshimit të kostos fiskale të kapitalit. Këto janë argumente të bazuara të konkluzionet e punës studimore të FMN dhe OECD.

Në një ekonomi që konkurron për kapital vendas dhe të huaj, politika e dividendit është një element i rëndësishëm i klimës së investimeve. Sipas normave të paraqitura në krahasimin rajonal Kosova: 0%, Maqedonia e Veriut: 10%, Bosnjë-Hercegovinë: 0-10% varion, Mali i Zi: 15% (por ka dhe norma 0% për tipologji të caktuara investitorësh), Shqipëria: 15% dhe Serbia: 15% për investitorët individualë (shkon deri 20% për struktura holding).

Me këtë ndryshim, Shqipëria pozicionohet në nivelin më të lartë të këtij grupi krahasues. Kjo e bën të nevojshëm vlerësimin e ndikimit të masës në tërheqjen e investimeve dhe në konkurrencën për kapital. Kërkesat e të gjithëve shoqatave dhe dhomave të biznesit për rishikimin e politikës fiskale të dividendit tregojnë se kjo çështje është gjithashtu pjesë e shqetësimeve të komunitetit të biznesit.

Një tjetër aspekt që meriton vëmendje është trajtimi tatimor i të ardhurave nga sipërmarrja në raport me të ardhurat nga punësimi. Në një simulim që merr parasysh vetëm tatimin mbi të ardhurat dhe jo kontributet, për 5 milionë lekë të ardhura vjetore, sipërmarrësi përballet me 750.000 lekë tatim, kundrejt 711.996 lekëve për të punësuarin. Për 14 milionë lekë të ardhura vjetore, sipërmarrësi përballet me 3.885.001 lekë tatim, kundrejt 3.173.993 lekëve për të punësuarin. Në këto skenarë, të ardhurat neto të sipërmarrësit rezultojnë më të ulëta, logjikisht e pakuptimtë në raport me risqet dhe të qenit krijues i këtyre vendeve të punës

Ky është kapitali që biznesi do të investonte për të krijuar vende pune, për të rritur pagat dhe për të zgjeruar ekonominë. Kur rëndohet sipërmarrja, nuk goditet vetëm fitimi i saj, por edhe punësimi, kontributet shoqërore, konsumi, të ardhurat nga TVSH-ja dhe prodhimi i bizneseve të tjera. Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi sipërmarrjen e lirë, pronën private, kapitalin produktiv dhe punën, jo mbi rëndimin e vazhdueshëm të atyre që krijojnë vlerë. Biznesi nuk është thjesht burim për mbledhjen e taksave, është burim punësimi, prodhimi dhe mirëqenieje. Shteti duhet të krijojë kushtet që kapitali të investohet dhe të prodhojë, jo ta dekurajojë atë përmes barrës fiskale.

Një diferencë e konsiderueshme ndërmjet trajtimit fiskal të SHPK-së dhe personit fizik mund të ndikojë në zgjedhjen e formës juridike të ushtrimit të aktivitetit. Nëse diferenca tatimore bëhet përcaktuese, disa subjekte mund të shqyrtojnë riorganizimin e aktivitetit të tyre. Megjithatë, ky vendim duhet analizuar edhe në raport me përgjegjësinë ligjore, detyrimet kontabël, kontributet, regjimet tatimore dhe rregullat kundër shmangies fiskale. Për rrjedhojë, një masë e projektuar për të rritur të ardhurat buxhetore duhet të vlerësohet edhe për ndikimin e mundshëm mbi bazën tatimore dhe formalizimin e ekonomisë.

Në këtë kontekst, propozoj një skemë që synon të ruajë balancën ndërmjet nevojës për të ardhura publike dhe nxitjes së investimeve:

  • Tatim dividendi 0% deri në 20 milionë lekë.
  • Tatim dividendi 15% për pjesën që tejkalon këtë prag.
  • Dispozita të qarta kalimtare që fitimi i 2026 dhe fitimet e pashpërndara para 2026 do të tatohet me 8% për të garantuar sigurinë juridike.
  • Përjashtim nga tatimi për dividendin që riinvestohet, sipas kritereve dhe mekanizmave të përcaktuar ligjërisht me VKM.

Një model i tillë do të mundësonte diferencimin e trajtimit fiskal sipas madhësisë së shpërndarjes dhe destinacionit të fitimit, duke krijuar stimuj më të qartë për riinvestimin. Politika tatimore nuk duhet të vlerësohet vetëm mbi bazën e të ardhurave shtesë që mund të gjenerojë në afat të shkurtër. Ajo duhet të analizohet edhe në funksion të investimeve që mund të nxiten ose të shtyhen, kapitalit që mund të mbetet në ekonomi dhe kapacitetit të bizneseve për t’u zgjeruar.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Sejko pret anëtarin e Bordit të ECB-së: SEPA dhe Instant Payments na afrojnë me standardet e BE-së

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, ...

2 hours më parë 5 Min Lexim

Malaj përgënjeshtron vetveten: Nga 1 janari 2027, dividendi do tatohet 15% edhe për fitimet e 2026

Përveçse bizneset u zgjuan një mëngjes para një jave për të parë se taksat e tyre ishin rritur papritur nga qeveria, që u kishte premtuar besën se ...

3 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!