SHBA, rekord historik: 17 gra do të drejtojnë shtetet amerikane në 2027

Zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA kanë sjellë një rekord historik për përfaqësimin e grave në politikë. Të paktën 17 gra do të jenë guvernatore të shteteve amerikane në vitin 2027, duke përfaqësuar 34% të drejtuesve të 50 shteteve, nga 14 gra ose 28% aktualisht.
Sipas të dhënave të Qendrës për Gratë Amerikane dhe Politikën (CAWP) në Universitetin Rutgers, rekordi i mëparshëm ishte 14 guvernatore. Nga 17 gratë që do të mbajnë këtë post vitin e ardhshëm, 14 i përkasin Partisë Demokratike dhe tri Partisë Republikane. Numri mund të rritet më tej, pasi në dy shtete, Alaska dhe Kansas, rezultati nuk ishte përcaktuar përfundimisht.
Zgjedhjet shënuan edhe disa arritje të paprecedenta në historinë politike amerikane.
Keisha Lance Bottoms, ish-kryebashkiakja e Atlantës, u zgjodh guvernatore e Georgias, duke u bërë gruaja e parë me ngjyrë që arrin të drejtojë një shtet amerikan. Ajo është gjithashtu gruaja e parë që merr drejtimin e Georgias.
Në New Mexico, demokratja Deb Haaland, ish-sekretare e Brendshme e SHBA-së, u bë gruaja e parë me origjinë nga popujt indigjenë amerikanë që zgjidhet guvernatore. Haaland kishte hyrë më parë në histori si një nga gratë e para indigjene të zgjedhura në Kongres dhe si e para që drejtoi një departament të qeverisë federale.
Një tjetër fitore historike u regjistrua në Teksas, ku demokratja Gina Hinojosa u bë gruaja e parë me origjinë latinoamerikane që zgjidhet guvernatore e shtetit. Fitorja e saj i dha fund kontrollit 31-vjeçar të republikanëve mbi postin e guvernatorit në një nga shtetet më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomikisht të Amerikës. / FT, CAWP
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









