Ata që qëndrojnë zgjuar natën do të kenë mundësinë të shohin "topa zjarri" verbues, ndërsa shiu i meteorëve i "Taurideve" arrin kulmin e aktivitetit të tij. Meteorët hyjnë në atmosferën e Tokës me një shpejtësi prej rreth 10o mijë kilometrash në orë. Kjo i bën ata më të ngadaltë dhe të dukshëm për një kohë më të gjatë krahasuar me meteorët e "Orionideve". Këta meteorë, të cilët lënë pas gjurmë të gjata e të ndritshme, duket sikur vijnë nga drejtimi i yjësisë së Demit (Taurus). Sipas "EarthSky", pamja më e mirë pritet të jetë rreth mesnatës së të enjtes. "Ajo që i bën Tauridet spektakolare është fakti se ato janë të pasura me 'topa zjarri' të shndritshëm," thonë zyrtarët e NASA-s. "Nuk ka shumë të tillë, por kur shihni një, do ta mbani mend gjatë. Ai lë një gjurmë verbuese në qiell." Asteroidët dhe kometat lënë pas gjurmë mbetjesh, pasi gjatë rrotullimit rreth Diellit, prej tyre shkëputen copa akulli dhe shkëmbi. Shiu i meteorëve ndodh kur Toka kalon përmes këtyre gjurmëve; mbetjet hyjnë në atmosferën e Tokës, digjen dhe krijojnë një shkëlqim të fuqishëm në qiell.