Arian Tahiri: Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së synon ndërtimin e një narrative të rreme për Kosovën

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kritikuar procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pretenduar se ai nuk ka për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një narrative të pavërtetë për Kosovën.

Në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, në gjashtëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Tahiri ka thënë se kontributi dhe emrat e tyre nuk mund të fshihen nga historia.

“Gjyqi ndaj tyre nuk ka lidhje me drejtësinë, por me përmbysjen e historisë. S’ka lidhje me zbardhjen e së vërtetës, por me ndërtimin e një narrative të rreme për Kosovën. Atyre në Hagë mund t’ua vrasin kohën, por jo kontributin dhe as emrat”, u shpreh Tahiri.

Ai ka vlerësuar se procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së i tejkalon dallimet politike dhe partiake, duke e cilësuar atë si çështje kombëtare, shtetërore dhe historike. Për këtë arsye, u ka bërë thirrje deputetëve që të jenë të bashkuar.

“Beteja në Hagë i tejkalon partitë, politikat ditore dhe dallimet tona. Duhet të jemi në këtë betejë bashkërisht, sepse është betejë kombëtare, shtetërore dhe historike. Sot, kur po hyjmë në vitin e shtatë të kësaj pritjeje, nga ky Kuvend duhet të kemi edhe një mesazh të përbashkët për bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht për Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Tahiri i është drejtuar edhe bashkësisë ndërkombëtare, duke rikujtuar mbështetjen e saj për Kosovën gjatë luftës kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe besimin që vendi, sipas tij, ka treguar ndaj mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë.

Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ketë një qëndrim më të qartë lidhur me standardet e drejtësisë, transparencën dhe respektimin e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor në Hagë.

“Kosova ju besoi. Ju besoi kur kërkonte shpëtim nga regjimi i Millosheviqit, kur kërkonte liri, kur pranoi që drejtësinë ta kërkonte përmes mekanizmave ndërkombëtarë. Sot pyesim: ku janë standardet e barabarta? Ku është zëri i Evropës kur kërkohet transparencë, llogaridhënie dhe respektim i të drejtave të njeriut?”, ka deklaruar Tahiri.

Në fund, ai ka theksuar se kërkesa e Kosovës nuk është që ndërkombëtarët të mbajnë anë, por të sigurojnë drejtësi pa ndikime, paragjykime dhe standarde të dyfishta.

Shija e redaktorit

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

Të fundit nga rubrika