Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza ka shprehur solidaritet me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në gjashtë vjetorin e arrestimit të tyre nga Gjykata Speciale.

Në fjalën e saj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetja Fejza ka kundërshtuar dënimin me 81 vjet heqje lirie për ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator nga Specialja në Hagë, duke e cilësuar atë si të padrejtë.


Ajo ka kërkuar që në procedurën e apelit të shqyrtohen të gjitha kundërshtimet e mbrojtjes, në veçanti provat mbi të cilat trupi gjykues e ka mbështetur vendimin.

Fejza ka theksuar se, përtej dallimeve politike, Kosova ka përgjegjësi që të mbrojë, përmes mjeteve ligjore, të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit.

“Ne e kundërshtojmë aktgjykimin e shkallës së parë. Ai, përveç që është i padrejtë, është i pasaktë deri në absurd. Në apel duhet të shqyrtohet secili kundërshtim i mbrojtjes. Në veçanti, duhet të shqyrtohen provat mbi të cilat trupi gjykues e ka lidhur secilin prej të dënuarve me qëllimin e përbashkët kriminal që ka konstatuar. Rexhep Selimi ka qenë deputet i këtij Kuvendi, si dhe bashkëluftëtarët e tjerë të burgosur. Nga kjo foltore i shprehim solidaritetin tonë atij, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe familjarëve të tyre. Përtej dallimeve tona politike, Republika ka përgjegjësi që t'i mbrojë me çdo mjet ligjor të drejtat e secilit prej tyre në apel. Siç tha Rexha në Hagë: 'Kurdo që të kthehem, do të kthehem në Kosovën e lirë për të cilën luftuam' ”, tha deputetja Fejza.

Gjashtë vjet më parë, më 4 dhe 5 nëntor 2020, nisi një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më të ndjeshëm të zhvillimeve gjyqësore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Brenda një dite, në Hagë u dërguan katër figura të rëndësishme të skenës politike të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Që nga ajo kohë, ata u përballën me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara. Po atë ditë, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” u nis aeroplani drejt Hagës, me katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët që nga ajo kohë u përballën me procesin gjyqësor në kuadër të Dhomave të Specializuara.

Pas rreth gjashtë vjetësh të procesit gjyqësor, më 16 shtator të këtij viti u shpall vendimi i shkallës së parë, ndaj të cilit pritet të vazhdojë procedura e ankimimit.

Ndërkohë, më 17 nëntor pritet të merret një tjetër vendim për ish-presidentin Hashim Thaçi, kësaj radhe në rastin e dytë gjyqësor që lidhet me pretendimet për tentim-pengim të drejtësisë. /KP/