
Cristiano Ronaldo ka mbyllur zyrtarisht kapitullin e tij me Kombëtaren e Portugalisë. Pas një karriere të jashtëzakonshme me fanellën kuqezi, ylli portugez largohet nga përfaqësuesja me një bilanc mbresëlënës: 146 gola në 234 ndeshje.
Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo ka vendosur t’i japë fund aventurës ndërkombëtare, duke lënë pas rekorde të shumta dhe një trashëgimi të vështirë për t’u përsëritur. Ndeshjen e fundit me Portugalinë e zhvilloi në shtator, në përballjen ndaj Uellsit, të fituar 1-0 nga portugezët. Në atë takim, CR7 realizoi një gol që u anulua për pozicion jashtë loje.
Rrugëtimi i tij me Kombëtaren nisi në gusht të vitit 2003, kur ishte vetëm 18 vjeç. Debutimin e zhvilloi në një ndeshje miqësore kundër Kazakistanit. Që prej atij momenti, Ronaldo u shndërrua në simbolin e futbollit portugez dhe një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.
Kapiteni legjendar mori pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës me Portugalinë, duke vendosur një rekord të veçantë: është i vetmi futbollist që ka shënuar në gjashtë Botërorë të ndryshëm.
Edhe në aspektin e trofeve, kontributi i tij është i jashtëzakonshëm. Ronaldo fitoi dy herë Ligën e Kombeve, në vitet 2019 dhe 2025, si dhe Kampionatin Evropian në vitin 2016.
Ky triumf mbetet një nga momentet më emocionuese të karrierës së tij. Në finalen ndaj Francës, Ronaldo u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 22-të të pjesës së parë për shkak të një dëmtimi, mes lotësh dhe zhgënjimi.
Megjithatë, ai nuk u largua nga skuadra, por e ndoqi pjesën tjetër të ndeshjes pranë vijës anësore, duke u kthyer në një lloj trajneri shtesë për shokët e skuadrës.
