Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka njoftuar se ka furnizuar Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit me pajisje të reja profesionale, në vlerë prej 34 mijë e 471 eurosh.

Sipas njoftimit të kësaj drejtorie, investimi përfshin 85 tuba zjarrfikës, fiskaje, reduktues, shpërndarës, bateri të rimbushshme, si dhe 10 pajisje portative fryrëse për shuarjen e zjarreve fushore dhe malore.


Drejtoria ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2025, zjarrfikësit e kryeqytetit kanë realizuar gjithsej 2 mijë e 878 intervenime, duke theksuar nevojën për investime të vazhdueshme në pajisje dhe kapacitete profesionale.

“Me mbështetjen e Kryetarit Përparim Rama, mbetemi të përkushtuar në modernizimin e BPZ-së, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e gatishmërisë për përballimin e emergjencave”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.

Në fund, kjo drejtori ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit për punën dhe përkushtimin e tyre në përballimin e situatave emergjente. /Telegrafi/