Tahiri: Raporti i BE-së për Kosovën, më i keqi i mundshëm

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka kritikuar të gjeturat e Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke thënë se ai evidenton degradim të demokracisë, mungesë të mbikëqyrjes parlamentare, probleme në luftën kundër korrupsionit dhe kufizim të lirisë së mediave.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Tahiri tha se raporti i BE-së është ndër më negativët që Kosova ka marrë, derisa kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të Qeverisë.
“Pasi që Kosovës iu është dorëzuar, i është dhënë një raport i vendit nga BE-ja, më i keqi i mundshëm i cili ka mundur me ardhë. Ku bazohet kjo? Ka degradim të skajshëm të demokracisë në vend, ka degradim të mbikëqyrjes parlamentare ndaj qeverisë. Qeveria sipas këtij raporti vepron vet, në kryeveti. Pa dhënë llogari në sektor kryesorë të cilët do të duhej të kishin progres. a e dini që ky raport e evidenton një fakt të rëndësishëm që ky shtet e kjo qeveri është e vetmja qeveri e cila nuk ka strategji kundër korrupsionit, një obligim dhe vit pas viti dokumentohet në këtë raport. Përderisa lufta kundër korrupsionit mbetet ende mike e problematike”, tha Tahiri.
Tahiri ngriti shqetësime edhe për lirinë e mediave dhe gjendjen e të rinjve në tregun e punës, ndërsa akuzoi pushtetin për nepotizëm dhe klientelizëm politik.
“Vendi i cili ka luftuar për lirinë e vet, e ka lirinë e mediave të cunguar më të madhe të dokumentuar në këtë raport, kjo duhet të jetë brengosje për një shoqëri, e cila ka qenë viktimë e mungesës së lirisë. A mundeni me besua se 33.4 përqind të rinjve nga 15 deri 29 vjeçare nuk janë në punë, ose në arsim apo trajnime profesionale dhe kjo është arsyeja pse e ikjes së qytetarëve. E fundit, është kapja e shtetit. Po ju drejtohem juve, a e kuptoni që mbi sakrificën shumë vjeçare të aktivistëve të LVV-së, këta ministra konceptin kryesorë e kanë nepotizmin dhe klientelizmin politik me çka jeni ardhur ju në pushtet. Shumica dërrmuese nuk kanë bë opozitë, nuk e dinë çka është koncepti i kësaj çështje që po adresoj”, tha Tahiri.
Duke folur edhe për 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Tahiri kërkoi drejtësi dhe llogaridhënie institucionale për zbardhjen e rastit.
“Në shënimin e 10 vjetorit të vrasjes së Astrit Deharit, pa asnjë dyshim me krejt fuqinë institucionale kërkojmë nga shteti, sistemi drejtësisë, drejtësi për Astritin. Sikurse që kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë prej kësaj shumice që po harron që gjashtë vite ka fituar mbi 60 përqind dhe nuk ka arritur të na sjell në kuvend një evidencë të thjeshtë, e cila së paku qytetarëve, familjes e neve, juve që keni pasur kolegë me e ditë çka ka ndodhur. Mos e politizoni, kërkoni përgjegjësi ndaj personave që janë në pushtet tash e gjashtë vite dhe nuk kanë bë asgjë në këtë temë. Ne kërkojmë edhe llogaridhënie”, tha ai. /KP/







































