
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin e mazhorancës për të mos miratuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për shoqërinë shtetërore KAYO.
Kërkesa është depozituar nga 41 deputetë të opozitës, pasi më 8 tetor 2026 mazhoranca votoi kundër projektvendimit për ngritjen e komisionit, i cili synonte të hetonte veprimtarinë e kompanisë dhe marrëveshjet e saj me palë të treta.
Në objektin e hetimit të kërkuar nga opozita përfshiheshin ligjshmëria e marrëveshjeve të bashkëpunimit, procedurat e përzgjedhjes së kompanive partnere, si dhe veprimtaria e KAYO-s dhe shoqërive të saj bija në prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Deputetët kërkonin gjithashtu verifikimin e mënyrës së alokimit dhe përdorimit të fondeve nga Buxheti i Shtetit, hetimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të mundshme të trafikut ndërkombëtar të armëve dhe vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, 41 deputetët argumentojnë se vendimi i Kuvendit cenon të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisioneve hetimore. Sipas tyre, kjo e drejtë nuk mund të kufizohet përmes vendimmarrjes së shumicës dhe kërkesa e një të katërtës së deputetëve duhet të çojë në ngritjen e komisionit.
Opozita pretendon se është krijuar një konflikt kompetencash mes pakicës parlamentare dhe Kuvendit, për të cilin kërkon ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese. Ajo kërkon që kjo e fundit të detyrojë Kuvendin të ngrejë Komisionin Hetimor për KAYO-n dhe të shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin nr. 164/2026, përmes të cilit u rrëzua kërkesa e deputetëve.
Në argumentet e saj, opozita i referohet nenit 77 të Kushtetutës dhe vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilave komisionet hetimore janë një instrument i kontrollit parlamentar dhe ngritja e tyre është e detyrueshme kur kërkohet nga një e katërta e deputetëve, me kusht që objekti i hetimit të respektojë standardet kushtetuese.
Sipas deputetëve, në rastet kur mazhoranca vlerëson se objekti i një hetimi cenon këto standarde, ajo duhet të propozojë formulime alternative, duke i dhënë mundësi pakicës parlamentare të riformulojë kërkesën.
Në deklaratën e saj, PD akuzon mazhorancën se po kufizon të drejtat parlamentare të opozitës dhe se po e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak, ku vendimmarrja përcaktohet nga numrat e votave dhe jo nga argumentet.
Opozita i referohet edhe progres-raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, duke pretenduar se në të shprehen shqetësime për funksionimin demokratik të Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar.
Në përfundim, 41 deputetët kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë çështjen me përparësi.