Europa investon 525 milionë euro në startup-et e projektimit të çipave

Bashkimi Europian po investon 525 milionë euro për të nxitur krijimin e një brezi të ri kompanish europiane që projektojnë mikroçipa, në përpjekje për të forcuar industrinë e gjysmëpërçuesve dhe për të zvogëluar varësinë nga prodhuesit e huaj.
Komisioni Europian njoftoi të mërkurën krijimin e Platformës Europiane të Projektimit të Çipave, një iniciativë që synon t’u ofrojë startup-eve mjete teknologjike për projektimin, akses në pronësi intelektuale, kapacitete prodhuese dhe grante që mund të arrijnë deri në 16 milionë euro.
Projektimi i çipave përbën një nga hallkat më të rëndësishme të zinxhirit të vlerës së industrisë së gjysmëpërçuesve, pasi pikërisht në këtë fazë zhvillohet një pjesë e konsiderueshme e inovacionit teknologjik.
Megjithatë, sipas Komisionit Europian, kompanitë europiane të projektimit të çipave gjenerojnë aktualisht më pak se 1% të të ardhurave globale në këtë segment.
Zyrtarët europianë paralajmërojnë se kjo dobësi mund të pengojë strategjinë më të gjerë të BE-së për zhvillimin e industrisë së gjysmëpërçuesve. Ndërtimi i fabrikave të reja në Europë mund të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm vetëm nëse ekziston kërkesë e mjaftueshme për prodhimin e tyre, ndërsa një pjesë e rëndësishme e kësaj kërkese duhet të vijë nga kompanitë europiane të projektimit.
Henna Virkkunen, zëvendëspresidente ekzekutive e Komisionit Europian përgjegjëse për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë, deklaroi se platforma e re synon të ndihmojë startup-et dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme të kapërcejnë pengesat financiare dhe teknologjike që hasin gjatë shndërrimit të ideve inovative në produkte konkrete.
Sipas saj, iniciativa dëshmon se Europa po përpiqet t’i kthejë objektivat për sovranitet teknologjik në investime konkrete, përtej politikave dhe angazhimeve institucionale.
Europa përballë dominimit aziatik
Pozicioni i Europës në industrinë globale të gjysmëpërçuesve është vënë nën presion prej disa vitesh.
Akti Europian për Çipat (EU Chips Act) u hartua me objektivin që pjesa e Bashkimit Europian në prodhimin botëror të gjysmëpërçuesve të arrinte në 20% deri në vitin 2030, nga rreth 9% në vitin 2020.
Megjithatë, një raport i Gjykatës Europiane të Audituesve, i publikuar në vitin 2025, arriti në përfundimin se realizimi i këtij objektivi është shumë pak i mundshëm.
Ndërkohë, kapacitetet globale të prodhimit të çipave mbeten të përqendruara në një numër të kufizuar kompanish.
Kompania tajvaneze TSMC prodhon aktualisht rreth shtatë në çdo dhjetë çipa që fabrikohen me porosi për kompani të tjera.
Çipat më të avancuar, të cilët përdoren për inteligjencën artificiale dhe telefonat inteligjentë të gjeneratës së fundit, prodhohen pothuajse tërësisht në Tajvan dhe Korenë e Jugut.
Kjo përqendrim ka shtyrë Shtetet e Bashkuara, Europën dhe Japoninë të investojnë në zhvillimin e kapaciteteve të tyre prodhuese, me synimin për të reduktuar varësinë nga furnizuesit aziatikë.
Mbështetësit e Aktit Europian për Çipat argumentojnë se legjislacioni ka ndihmuar në ndryshimin e një tendence shumëvjeçare rënieje të industrisë europiane.
Sipas një zyrtari të Komisionit Europian, kjo strategji ka krijuar një bazë më të fortë për zhvillimin e sektorit dhe e ka rikthyer Europën në një trajektore rritjeje pas dy dekadash dobësimi.
Investimi synon të forcojë të gjithë zinxhirin e prodhimit
Platforma e re europiane nuk synon të konkurrojë vetëm përmes ndërtimit të fabrikave të reja, por edhe përmes zhvillimit të njohurive teknologjike dhe krijimit të kërkesës europiane që në fazat e para të zinxhirit të vlerës.
Iniciativa është pjesë e EU Chips Act, strategjisë që synon të forcojë ekosistemin europian të gjysmëpërçuesve, të rrisë qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit dhe të reduktojë varësinë nga teknologjitë e huaja.
Ky kuadër përcakton pesë objektiva strategjikë, mes të cilëve edhe zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve europiane për projektimin e çipave të avancuar.
Krijimi i Platformës Europiane të Projektimit të Çipave, nëpërmjet ndërmarrjes së përbashkët Chips Joint Undertaking, përbën një nga komponentët kryesorë të kësaj strategjie.
Si do të shpërndahen 525 milionë eurot?
Sipas detajeve të publikuara nga Komisioni Europian, financimi ndahet në dy komponentë kryesorë:
– 440 milionë euro do të jepen në formën e granteve publike për startup-et që zhvillojnë çipa për përdorim tregtar.
– 85 milionë euro do të përdoren për infrastrukturën digjitale të platformës, shërbimet mbështetëse dhe mjetet e projektimit me kod të hapur.
Startup-et në fazat e para të zhvillimit mund të përfitojnë deri në 100 mijë euro për prototipe dhe testimin e ideve, ndërsa kompanitë më të zhvilluara mund të aplikojnë për grante deri në 16 milionë euro për të mbështetur kalimin drejt komercializimit.
Investimi vjen në një periudhë kur industria botërore e gjysmëpërçuesve po përjeton zgjerim të nxitur veçanërisht nga kërkesa për teknologjitë e inteligjencës artificiale./ EURONEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









