Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve se po bllokon proceset që lidhen me projektin e efiçiencës së energjisë, duke ndikuar në mungesën e ngrohjes në disa shkolla të kryeqytetit.

Rama, gjatë lansimit të platformës “NOËL 2026”, tha se disa procese që kërkojnë nënshkrimin dhe miratimin e nivelit qendror janë duke u penguar nga Ministria e Financave.


“Ministria e Financave nuk po na lejon të kryejmë punë”, deklaroi Rama.

Ai pretendoi se, pavarësisht se bëhet fjalë për një kontratë me Bashkimin Evropian, pagesat nuk po realizohen për shkak të proceseve të analizimit nga Ministria.

Sipas Ramës, kjo situatë po pengon përfundimin e punëve në shkolla, ndërsa përgjegjësinë për vonesat ia atribuoi nivelit qendror.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka akuzuar Ministrinë e Financave se ka bllokuar mjetet buxhetore të dedikuara për projektin e efiçiencës së energjisë, situatë që, sipas saj, ka lënë pa ngrohje disa shkolla dhe çerdhe në kryeqytet.

Edhe drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka ngritur shqetësimin për këtë çështje, duke thënë se bllokimi i mjeteve nga Ministria e Financave, së bashku me ndërprerjen e punimeve, ka ndikuar në situatën e krijuar në institucionet arsimore. /Kp/