Barcelona ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së Raphinha deri në qershor 2030. Kapiteni brazilian ka firmosur marrëveshjen e re në zyrat e klubit, në prani të presidentit Joan Laporta. Pas ceremonisë, Raphinha shprehu krenarinë për këtë arritje dhe zbuloi dëshirën për ta mbyllur karrierën në “Camp Nou”:
“Është një ndjenjë krenarie e madhe. Vetëm unë dhe familja ime e dimë se çfarë kemi kaluar nga brenda që kur mbërrita këtu. Jam shumë krenar për atë që kam arritur dhe shpresoj të kem edhe shumë vite të tjera. Nëse këmbët më lejojnë të vazhdoj të luaj në nivel të lartë, do të doja të tërhiqesha si futbollist te Barcelona”.

Për kombëtaren braziliane, ai tha se ka biseduar me Carlo Ancelottin, i cili duhet t’i menaxhojë minutat e tij për të shmangur dëmtimet: “Jam shumë mirë, por ende nuk jam në 100%. Po bëj gjithçka që të jem në gjendjen më të mirë fizike”.
I pyetur për mundësinë e pezullimit të ndeshjeve pas vdekjes së Jesús de Miguel, Raphinha u shpreh: “Ishte një fatkeqësi që më preku personalisht. Mendoj se mënyra më e mirë për të respektuar është të vazhdojmë të punojmë. Do të zbatojmë çfarëdo vendimi që merret”.







