Detaje të reja kanë dalë në pah nga ngjarje e rëndë e ndodhur para tre ditësh në Dibër, ku 43-vjeçarja Majlinda Mara leu me benzinë e pastaj i vuri flakën babait të saj, i cili ka pësuar djegie të rënda në trup dhe po merr mjekimin në Tiranë.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, mësohet se Majlinda Mara ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur për shkak të grindjeve të vazhdueshme me babain e saj. Ajo ka treguar dinamikën e ngjarjes duke zbuluar se ka pritur derisa babai është shtrirë për të fjetur, e kur këtë të fundit e ka marrë gjumi ajo e ka spërkatur me benzinë, i ka vënë flakën dhe ka dalë nga dhoma.
Për shkak të ngjarjes, 89-vjeçari Adem Mara, ka pësuar djegia të rënda në trup, ndërsa bëhet me dije se ai ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Rasti i rëndë është raportuar në policinë e Burrelit nga komshinjtë të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë. Për këtë ngjarje të rëndë policia kriminale e Burrelit ka nisur hetimet duke ndaluar vajzën 43-vjeçare të personit të dëmtuar, Adem Mara.
Ndaj Majlinda Marës mësohet se tashmë është ngritur akuza e “Vrasjes për shkaqe të marrëdhënies familjare” të mbetur në tentativë. Aktualisht bëhet me dije se po vijojnë hetimet nga prokuroria, ndërsa 43-vjeçarja pritet të dalë përballë gjykatës për t’u përballur me masën e sigurisë.













